Kampionate

Chiesa mes Bayern Munich, Serie A dhe Premier League


Federico Chiesa

Bayern Munich është klubi i fundit që ka regjistruar një interes për sulmuesin e Juventus-it dhe Italisë, Federico Chiesa, sipas mediave të shumta italiane.

Italiani aktualisht ka pak më shumë se 12 muaj të mbetur në kontratën e tij me Juventus-in, e cila zgjat deri në verën e vitit 2025. Bardhezinjtë kanë në fakt tre opsione në tryezë: të rinovojnë kontratën, ta shesin atë këtë verë ose të rrezikojnë ta lejojnë të largohet për falas vitin e ardhshëm.

Është një verë ndryshimesh në Torino, pasi Thiago Motta u konfirmua së fundmi si trajneri i ri i klubit, duke zëvendësuar Massimiliano Allegri-n. Mbetet për t’u parë nëse Motta e konsideron Chiesa-n si një pjesë të rëndësishme të së ardhmes së klubit.

Nëse Juventus vendos të përfitojë nga Chiesa këtë verë, tashmë ka një radhë klubesh që presin të shfrytëzojnë mundësinë.

Në Serie A, Roma dhe Napoli tashmë kanë bërë vëzhgime sipas raporteve të fundit. Ka pasur gjithashtu interes nga Aston Villa verën e kaluar, dhe raportet nga “Calciomercato.com” se Newcaslte gjithashtu mund të jetë i interesuar.

Megjithatë, sipas “La Gazzetta dello Sport” dhe “Calciomercato”, edhe Bayern Munich po ndjek situatën.

Është sugjeruar se Chiesa ende vlerësohet në rajonin prej 40-50 milionë euro, edhe me vetëm një vit të mbetur në kontratën e tij.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com

Lajmet kryesore