Sport

Challandes: Do të jetë ndeshje e rëndësishme për vazhdimësinë tonë në kualifikuese


Trajneri i Kombëtares së Kosovës, Bernard Challandes, ka folur për mediat para ndeshjes së ditës së enjte që Kosova do të luajë me Gjeorgjinë për kualifikueset e Kupës së Botës, Katar 2022.

Zvicerani ka vënë theksin se ekipet po kërkojnë maksimumin, pasi janë pjesë e një grupi shumë të fortë. Gjithashtu, ai ka vlerësuar maksimalisht cilësit e kundështarit.

“Të dyja ekipet jemi në kërkim të tre pikëve të para, pasi jemi në një grup të fortë me ekipe si Spanja, Suedia dhe Greqia, mund të them që ne dhe Gjeorgjia kemi kualitet të përafërt”, tha Challandes-i.

“Gjeorgjia në ndeshjet e kaluar ka pasur paraqitje të mira, është mposhtur në fund nga Spanja dhe ka arritur barazim ndaj Greqisë, sigurisht që ata synojnë fitoren ndaj nesh”.

“Ne hyjmë në këtë ndeshje pas një forme jo edhe aq të mirë por padyshim që synojmë maksimumin ndaj Gjeorgjisë, kjo do të jetë një ndeshje shumë e rëndësishme për ne dhe për vazhdimin tonë në këto kualifikime”.

Tekniku u pyet nga gazetarët për mos praninë e tifozëve në stadium për të ndjekur ndeshjen mes Kosovës dhe Gjeorgjisë.

“Nuk jemi të lumtur që do të luajmë pa shikues, pasi futbolli pa shikues nuk është shumë emocionues, edhe për futbollistët nuk do të jetë e lehtë të luajnë në një stadium pa tifozë”, shtoi tekniku.

“Megjithatë jemi në një situatë të vështirë nga pandemia dhe duhet të mësohemi të luajmë kështu”.

“Unë besoj te këta futbollistë që kam dhe padyshim që synojmë maksimumin ndaj Gjeorgjisë”, përfundoi 70-vjeçari.

Kosova do të ketë përballjen e parë për kualifkueset e shtatorit, ditën e enjte më datë 2 në Gjeorgji, ndërsa do të ketë edhe dy ndeshje të tjera më datë 5 përballë Greqisë dhe më datë 8 pëeballë Spanjës dhe që të dy ndeshjet do të luhen në Kosovë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore