Shqipëria

Çfarë ka ndryshuar për Shqipërinë nga konferenca e parë ndërqeveritare me BE-në


Më 19 korrik të vitit 2022, Bashkimi Evropian mbajti konferencën e parë Ndërqeveritare (IGC) me Shqipërinë në Bruksel.

Ky moment shënjoi një ngjarje historike për Shqipërinë në rrugën e integrimit në BE dhe një hap më afër realizimit të aspiratës së popullit shqiptar për t’u bërë pjesë e familjes evropiane.

Asokohe, delegacioni i Shqipërisë përbëhej nga 25 zyrtarë të lartë si pjesë e Grupit Negociator, të kryesuar nga kryeministri Edi Rama, ministrja e Evropës dhe Punëve të Jashtme, Olta Xhaçka, dhe Kryenegociatori për Anëtarësimin e Republikës së Shqipërisë në BE, Zef Mazi, në përputhje me strukturën institucionale të krijuar për negociatat e anëtarësimit.

Shqipëria mori statusin e vendit kandidat në vitin 2014 dhe Konferenca e Parë Ndërqeveritare e mbajtur të martën e 19 korrikut (2022) në Bruksel, shënoi një fazë të re në procesin e anëtarësimit në BE.

Së pari, gjatë negociatave, i gjithë legjislacioni shqiptar, i ndarë në përputhje me 35 kapitujt e acquis të ligjit të BE-së, do t’i nënshtrohej procesit të shqyrtimit, për të vlerësuar saktë përputhshmërinë e tij me acquis të BE-së.

Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, theksoi rëndësinë e këtij momenti historik në konferencën e përbashkët për shtyp me kryeministrin e Shqipërisë, Edi Rama dhe kryeministrin e Maqedonisë së Veriut, Dimitar Kovacevski.

I pranishëm ishte dhe kryeministri çek Petr Fiala, i cili mbante Presidencën e rradhës gjashtëmujore të Këshillit të BE-së.

Ajo theksoi faktin se qeveritë e Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut kishin miratuar reformat e kërkuara, jo vetëm në funksion të anëtarësimit në BE, por edhe për mirëqenien e popullit të tyre dhe për të rritur cilësinë e jetës në të dyja këto vende.

Ndërkohë, kryeministri Edi Rama theksoi se: “Hapja e negociatave të anëtarësimit është vetëm fundi i fillimit të anëtarësimit në BE” dhe “duhet të ndërtojmë një Shqipëri demokratike dhe evropiane”.

“Sot shpresoj që faktet flasin vetë, negociatat e anëtarësimit janë hapur zyrtarisht dhe puna drejt negociatave do të nisë pasdite”, shprehej Rama.

Ai i përshkroi negociatat e pranimit si “një transferim të domosdoshëm njohurish që nuk mund të gjendet askund tjetër në jetën politike”.

Çdo hap i këtyre negociatave përbën një vlerë të shtuar, shtoi ai.

Çfarë ka ndryshuar?

Më 17 korrik u shënua edhe hapja e suksesshme e kapitullit të pestë të negociatave mes Shqipërisë dhe Bashkimit Evropian.

Kujtojm që, katër kapitujt e parë janë përmbyllur me sukses në procesin e njohur si “screening”, ku palët shpjegojnë situatën dhe ballafaqojnë përparimin e vendit kandidat.

Kapitulli i pestë mbulonte fushat si agrikultura, zhvillimi rural, siguria ushqimore, veterinaria dhe politikat fitosanitare së bashku me peshkimin.

Dy ditët e para të takimeve mes palëve u përqendruan tek agrikultura, zhvillimi rural dhe peshkimi, duke u ndjekur më pas me sigurinë ushqimore dhe rezervat buxhetore.

Në këtë fazë të negociatave, kryesisht vendet kandidate njihen me legjislacionin evropian, përafrimin që duhet të kryejnë me të dhe njihen me obligimet që kanë për t’u pranuar në Bashkimin Evropian.

Në tërësi, gjashtë kapituj madhorë janë pjesë e procesit “screening” dhe siç ka bërë me dije më parë përfaqësuesi i lartë i diplomacisë evropiane, Josep Borrell, Shqipëria ka avancuar tepër në të gjitha fushat dhe mund t’i hapë konkretisht kapitujt e parë negociues brenda vitit.

Në mars, ai bërë me dije se se vendimi për hapjen e negociatave, që u mor korrikun e kaluar i ka dhënë një vrull dhe shtysë të re procesit të anëtarësimit.

“Tani është procesi i shqyrtimit, i cili përpiqet të identifikojë se cilat janë fushat specifike politike nga ku duhet të nisë puna. Është çështje ditësh apo javësh, shumë shpejt, kur ky proces shqyrtimi do të përfundojë dhe shtetet anëtare do të vendosin se nga cilët kapituj, ne i quajmë kapituj, apo fusha politike do të nisë negocimi”, ravijëzoi Borrell asokohe.

Nisja zyrtare e shqyrtimit të kapitujve për Shqipërinë ishte më 30 janar, kur patën fillesë edhe takimet dypalëshe mes delegacionit shqiptar dhe atij të BE-së. Kapitulli i parë i hapur më 30 janar, kishte të bënte pikërisht me lëvizjen e lirë të mallrave.

Besimi i shqiptarëve ndaj BE-së

Nivelet e besimit në Bashkimin Evropian janë rritur ndjeshëm në shumicën e vendeve kandidate që nga dimri 2022-2023.

Shqipëria kryeson me nivelin më të lartë të besimit, konkretisht me 77 për qind.

Pas saj renditet Bosnja dhe Hercegovina me 57 për qind, Mali i Zi me 54 për qind, Maqedonia e Veriut me 48, Moldavia me 44, Turqia me 41 dhe në fund është pozicionuar Serbia me nivelin më të ulët të besimit, vetëm 32 për qind.

Këto shifra u publikuan më herët nga vetë barometri i Bashkimit Evropian.

Shifra për Shqipërinë është dukshëm ndryshe nga ajo e vitit 2019, ku të paktën vetëm 51 për qind e shqiptarëve të anketuar kishin besim tek BE-ja.

Por edhe asokohe shqiptarët ishin në nivelin më të lartë të besimit në BE në raport me vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor.

Duket se hapja dhe nisja negociatave, apo edhe fryma pozitive e përcjellë nga liderët evropianë për vendin ka pasur një ndikim në besimin e shqiptarëve për unionin.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore