Shqipëria

Çështja Gërdeci: SPAK do të marrë në pyetje Shkëlzen Berishën


Prokuroria e Posaçme (SPAK) ka kërkuar të pyeten djali i ish-kryeministrit, Shkëlzen Berisha dhe ish-zyrtari Aldo Bumçi për çështjen Gërdeci.

Ngjarja që lidh Aldo Bumçin me Shkëlzen Berishën, është një faks në të cilin është përmbajtja e letrës miratuese nga Ministria e Drejtësisë për kontratën që do të lidhej në Gërdec, një kopje të së cilës nga zyra e Aldo Bumçit i është dërguar privatisht Shkëlzen Berishës.

Faksi është sekuestruar nga Prokuroria në materialet e gjetura pas tragjedisë në Ministrinë e Mbrojtjes.

Ish-ministri i Mbrojtjes, Fatmir Mediu, kërkoi më herët marrjen në pyetje të 90 dëshmitarëve, lidhur me procesin e rihapur të çështjes Gërdeci.

Në bazë të kërkesës së bërë pranë Gjykatës kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, avokatët e Mediut argumentuan se është e nevojshme që procesi të njihet me këto dëshmi, ndër të cilat përfshihen edhe ish-zyrtarë të lartë shqiptarë në fushën e mbrojtjes, gjeneralë të NATO-s, si edhe ekspertë e zyrtarë të Mbrojtjes pranë Departamentit Amerikan të Shtetit.

Po ashtu, është kërkuar edhe dëshmia nga ish-ministra të Mbrojtjes në Gjermani, Itali dhe Maqedoni të Veriut.

Kjo kërkesë e avokatëve, vjen pas heqjes dorë nga gjykimi i shkurtuar për Mediun.

Fakti se do të ketë kërkesë për diçka të tillë, është bërë me dije fillimisht që më 18 korrik nga avokatët e ish-ministrit, por pa specifikuar staturën e këtyre figurave.

“Ne nuk besojmë se shpërthimi ishte aksident. Kemi indicie për qëllimvënie të zjarrit në fabrikën e demontimit”, tha Visha.

Në gjykimin e zakonshëm, avokatët thanë se do të kërkojnë pyetjen e dëshmitarëve që nuk janë pyetur me herët.

Po ashtu edhe pyetjen e të pandehurve për të cilët ka përfunduar gjykimi dhe kryerjen e një akt-ekspertimi të ri për shkakun e shpërthimit të fabrikës së demontimit të municioneve në Gërdec.

Kujtojmë se 109 persona të plagosur dhe familjarë të viktimave kanë sjellë dokumente përfaqësimi në Gjykatë dhe SPAK do të verifikojë nëse janë të dëmtuar nga vepra penale apo jo.

Ndërtimi i situatës

Mediu është shpallur i pandehur për çështjen “Gërdeci”, ku mbetën të vdekur 26 persona dhe qindra të tjerë të plagosur.

Deri më tani GJKKO ka pranuar gjykimin e shkurtuar për Mediun, i cili akuzohet për shpërdorim detyre të dyfishtë sipas Kodit Penal dhe Kodit Penal Ushtarak.

Më 10 janar Mediu u mor zyrtarisht i pandehur nga Prokuroria e Posaçme dhe deklaroi atë ditë se “i është prezantuar i njëjti fashikull, me të njëjtin prokuror, njëjtën akuzë pa shtuar asnjë dokument shtesë nga 2009”.

Ishte Gjykata e Lartë në Shqipëri, që më 28 tetor të vitit 2021 depozitoi në SPAK dosjen për ish-ministrin dhe do të ishte Gjykata e Posaçme e Apelit, e cila do t’u hapte rrugën hetimeve.

Kjo pasi më 12 tetor bëri me dije se Mediu nuk është gjykuar më parë, për shkak të imunitetit të deputetit që zotëronte në atë kohë.

Më tej, bëhet me dije se afatet e parashkrimit janë respektuar, pasi Mediu është marrë i pandehur që në vitin 2009.

Nga ana tjetër, rënia e kushtit, tashmë, të imunitetit do t’i hapë dyert drejtësisë për të nisur gjykimin.

Si u rikthye pas tetë vitesh çështja “Gërdeci”?

Gjykimi ndaj Mediut u rikthye më 7 maj, kur familja e 7-vjeçarit, që humbi jetën, depozitoi në SPAK kërkesën për ndjekjen penale të Mediut.

SPAK, fill pas shqyrtimit të kërkesës, kërkoi hapjen e dosjes dhe revokimin e vendimit të pushimit të çështjes penale ndaj Mediut.

Shkaku, për të cilin Kolegji Penal i Gjykatës së Lartë në 2009-ën vendosi pushimin e çështjes penale ndaj Mediut, ishte imuniteti parlamentar.

Më 30 qershor, Gjykata e Lartë shpalli moskompetencë për gjykimin e ish-ministrit të Mbrojtjes.

Në vijim të ndryshimeve ligjore të bëra me reformën në drejtësi, çështja “Gërdeci” i kaloi Gjykatës së Posaçme Anti-Korrupsion.

Ndërkohë GJKKO-ja, më 27 korrik, vendosi që Fatmir Mediu nuk do të gjykohet.

Kjo Gjykatë cilësoi në vendim se, që prej vitit 2012 e në vazhdim (më shumë se tetë vjet), organi i akuzës nuk ndërmori hapat e nevojshëm sipas ligjit për ushtrimin e ndjekjes penale.

“Prokuroria nuk ka pasur asnjë pengesë që ta rimerrte të pandehur shtetasin Fatmir Mediu pa kërkuar autorizim për ndjekje penale, apo të kërkonte rishikim të vendimit”, thuhej në vendimin e GJKKO-së.

Kësisoj, Gjykata ravijëzoi se hapja e dosjes “Gërdeci”, “nuk mund të ushtrohet më bazuar në nenin 66 germa ‘b’ të Kodit Penal dhe në nenin 328 pika 1 germa ‘d’ të K.Pr.Penale”.

Por SPAK ankimoi në Apel vendimin e GJKKO-së, duke e cilësuar si të pabazuar në ligj.

Mediu akuzohet për kryerjen e veprës penale “Shpërdorimi i detyrës” kryer në bashkëpunim.

Si dhe për kryerjen e veprës penale “Shpërdorim i detyrës” në bashkëpunim me subjekt ushtarak-kuadër komandues.

Shpërthimi i Gërdecit

Më 15 mars të vitit 2008, në ambientet e ish-“Brigadës së Tankeve”, në fshatin Gërdec, në Tiranë, ku ushtronte aktivitetin e çmilitarizimit dhe çmontimit të municioneve luftarake shoqëria “Albademil” sh.p.k., ndodhën një seri shpërthimesh masive që sollën pasoja të rënda.

Si rezultat i kësaj ngjarjeje u shkaktua vdekja e 26 personave, plagosja e rëndë e 27 personave, plagosja e lehtë e 109 personave dhe dëmtime të parëndësishme për 67 persona.

Si dhe dëmtime të tjera të paklasifikuara të 61 personave që janë trajtuar në spitale e qendra shëndetësore.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore