Lajme

“Cenim i kredibilitetit të shtetit dhe miliona euro të humbura, vetëm për ego të Kurtit” – Sa i kushtoi Kosovës “aventura” me kryetarët në Veri sipas opozitës?


Foto: Albanian Post

Një vit pasi u zgjodhën, kryetarët e katër komunave Veriore do të përballen përsëri me votim, kësaj radhe për t’u shkarkuar, derisa sipas akterëve politikë të opozitë në vend e gjithë kjo “aventurë” me kryetarët në Veri është “poshtërim” për ta e cenim i kredibilitetit të Kosovës, teksa kanë konsideruar se krijimi i një situatë të tillë ka pasur për qëllim vetëm për të “kënaqur” egon e kryeministrit Albin Kurti.

21 prillin Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) e ka caktuar ditën kur qytetarët e komunave Veriore – të banuara me shumicë serbe – do të votojnë për të shkarkuar kryetarët, përkatësisht Erden Atiqin në Mitrovicë të Veriut, Lulzim Hetemin në Leposaviq, Ilir Pecin në Zveçan dhe Izmir Zeqirin në Zubin Potok.

Kjo datë u rekomandua nga Sekretariati i KQZ-së, pasi që ka verifikuar nënshkrimet e dorëzuara të peticioneve nga Kuvendet Komunale të komunave përkatëse.

Mirëpo, të gjithë situatën e krijuar me kryetarët në Veri, dhe ngjarjet që pasuan më pas, si protestat e dhunshme të serbëve lokalë, kritikat publike – më të ashpra se kurrë më parë – të ndërkombëtareve ndaj Kosovës, sanksionet ekonomike dhe politike, sipas Vlora Çitakut dhe Lutfi Hazirit janë si rezultat i veprimeve të Kurtit, për të cilin thonë se “nuk e ka idenë” se çka nënkupton sovraniteti.

“‘Fitorja’ e vetme këtu janë miliona eurot që do të paguhen nga taksapaguesit e Kosovës për organizmin e ‘referendumit’ e më pas zgjedhjeve. Miliona euro të humbura nga taksapaguesit, kredibiliteti i Kosovës i cenuar, raportet me aleatët tanë të dëmtuara – e gjitha kjo për të kënaqur egon e Kurtit, i cili nuk e ka as idenë që çka nënkupton sovraniteti në vitit 2024”, ka thënë nënkryetarja e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK) në një prononcim për Albanian Post.

Se sa sovranë janë kryetarët tanë në Veri, Çitaku përmend rastin e nënkryetares së Komunës së Leposaviqit, Dragana Miletiç, të cilës iu publikuan pamjet ku shihej ajo së bashku me disa pjesëtarë të stafit komunal duke konsumuar kokainë (lëndë narkotike).

“S’kishte sovranitet as brenda zyrës e lëre më për tjetër gjë”, shtoi ajo.

Vlora Çitaku

Ndërsa, sipas nënkryetarit të Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lutfi Haziri, Qeveria Kurti, pra pas vendimit për organizmin e votimit për shkarkimin e kryetarëve, po hyn në fazën e zbatimit të masave të de-eskalimit – kërkesë e kamotshme e ndërkombëtareve.

Haziri, në një bashkëbisedim për AP, largimin e kryetarëve të komunave Veriore, e konsideron si “poshtërim” që Kurti po ua bënë atyre, derisa rezistencën e pretenduar nga eksponentë të pushtetit e konsideron për konsum të brendshëm.

“Tani kjo lloj rezistence me qëndrim brenda siç ndodhi me rastin e Leposaviqit [ngujimi i Lulzim Hetemit në objektin e komunës] – me tendencë për konsum të brendshëm më shumë – u bë një lloj ‘rezistence’ në emër të shtrirjes së ligjit në pjesën Veriore, që në fund doli vetëm një balon politik, asgjë tjetër”, thekson ai.

Për ta argumentuar këtë, Haziri thekson se në vend që të ndodhte procesi i largimit të kryetarëve, apo të arrihej ndonjë marrëveshje politike, të cilat, sipas tij, do të zgjidhnin më shpejt ngërçin e krijuar, po kërkohet që t’i shkarkojnë.

“Tani po i poshtëron ata kryetarët që kanë rezistu, sepse është organizu një peticion – kundër ligjor edhe ai – me mbledhjen e nënshkrimeve dhe tash shkon me një votim lokal pa ligj, për t’i largu nga zyra, për t’i larguar në këtë formë, në këtë mënyrë prej zyrës”, pohon ai.

Kjo, në prizmin e Hazirit, është tregues i qartë se sa “kontradiktor është Kurti dhe qeveria e tij në bërthamë”.

Lutfi Haziri

Ndërtimi i situatës

Dy ditë para se ta mbushin një vit të plotë që janë zgjedhur, kryetarët e katër komunave Veriore – Mitrovicë e Veriut, Leposaviq, Zveçan dhe Zubin Potok – do përballen me votën e qytetarëve të komunave përkatëse për t’i shkarkuar apo jo ata.

Vendimi u mor nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, i cili e caktoi 21 prillin si datë kur qytetarët e komunave Veriore – të banuar me shumicë serbe – do të marrin pjesë në votime për t’i shkarkuar udhëheqësit e tyre, pasi që ka verifikuar nënshkrimet e dorëzuara të peticioneve nga Kuvendet Komunale të komunave përkatëse.

Për të filluar iniciativën për shkarkimin e kryetarëve, ishte ndjekur rruga të cilën e kishte formuluar Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal, që drejtohet nga Elbert Krasniqi, përmes një Udhëzimi Administrativ.

Në bazë të këtij udhëzimi, për të iniciuar nismën për shkarkimin e kryetarëve, duhet të mblidheshin 20 për qind e nënshkrimeve të banorëve me të drejtë vote në atë zonë.

Nënshkrimet e nevojshme, pra 20 për qindëshi, ishin mbledhur në janar të këtij viti, në një periudhë tejet të shkurtër kohore.

Për shkarkimin e kryetarëve, gjithmonë sipas Udhëzimit Administrativ, duhet që 50 për qind e votës totale që merr pjesë në votime të shprehet pro largimit të tyre.

Kryetarët shqiptarë në komunat Veriore ishin zgjedhur në zgjedhjet e jashtëzakonshme në këto qytete më 23 prill të vitit të kaluar, pas dorëheqjeve të atyre serbë, më 5 nëntor 2022.

Serbët lokalë – që janë shumicë në këtë pjesë të Kosovës – i kishin bojkotuar në shumicë dërrmuese këto zgjedhje, çka i kishte hapur rrugë kandidatëve shqiptarë për t’u vendosur në krye të këtyre komunave për herë të parë në histori, edhe pse me numër tejet të vogël votash, kryesisht shqiptare.

Ndonëse ishin bojkotuar nga serbët, bashkësia ndërkombëtare, përfshirë Bashkimin Evropian dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës i mbështetën këto zgjedhje.

Por, situata do të ndryshonte më pas, posaçërisht që nga 26 maj. Do krijoheshin tensionet më të mëdha në atë pjesë të vendit, në tërë historinë e Kosovës së pasluftës.

Vendimi i institucioneve kosovare për t’i instaluar në zyrat e tyre kryetarët e zgjedhur shqiptarë – pa koordinim me ndërkombëtarët – hasi në kundërshtim të ashpër të serbëve lokalë.

Me asistimin e Policisë së Kosovës, më 26 maj, nën kundërshtimin e serbëve lokalë, kryetarët arritën që të futeshin në zyrat e tyre në objektet komunale.

Mirëpo, si pasojë e këtyre tensioneve, bashkësia ndërkombëtare e kishte fajësuar vetëm Kosovën. Madje, Departamenti amerikan i Shtetit kishte thënë se kjo situatë e krijuar mund të ndikojë në relacionet në mes të dy vendeve.

26 maji nuk ishte dita e vetme kur pati dhunë. Në përmasa edhe më të mëdha ishte më 29 maj, vetëm tri ditë më pas.

Të prirë nga Lista Serbe – partia më e madhe e serbëve të Kosovës, njëherit të dirigjuarit e Beogradit – protestuesit e dhunshëm serbë sulmuan trupat e misionit paqeruajtës të NATO-s në Kosovë (KFOR) – të cilët kishin marrë në dorë situatën – duke lënë të lënduar dhjetëra prej tyre, kryesisht italianë dhe hungarezë.

Nga ana tjetër, Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç, nënshkroi dekretin për gatishmërinë e lartë të ushtrisë, duke dislokuar kështu një numër të madh të ushtarëve përgjatë kufirit me Kosovën.

Ky veprim i shtetit serb u kritikua nga ndërkombëtarët, të cilët kërkuan largimin e menjëhershëm të ushtrisë serbe përgjatë kufirit me Kosovën.

Pasojat më të mëdha për të tërë situatën e krijuar në Veri, pas zgjedhjeve të 23 prillit, do të rëndonin mbi Kosovën.

Në qershor të vitit të kaluar, Bashkimi Evropian, si pasojë e refuzimit të qeverisë së Albin Kurtit, për ta shtensionuar situatën në Veri – një nga kërkesat e ndërkombëtarëve ishte edhe largimi i kryetarëve – vendosi sanksione politike dhe ekonomike ndaj Prishtinës zyrtare, të cilat vazhdojnë që të jenë në fuqi.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore