Shqipëria

Celibashi shmang kritikat e Ramës për identifikimin elektronik, premton hetim të aparaturave


Kryetari i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Ilirjan Celibashi, ka folur në lidhje me mosfunksionimin e pajisjeve për votimin elektronik.

Ky votim u aplikua për herë të parë në zgjedhjet lokale të 14 majit në tre bashki: Vorë, Kamzë dhe Elbasan.

Sipas tij, ende po pritet dorëzimi i bazës materiale teksa ka paralajmëruar se për vlerësimin teknik të pajisjeve do të kërkohet edhe ndihma e ekspertëve të huaj.

“Akoma pajisjet nuk kanë mbërritur në KQZ. Po presim dorëzimin e bazës dhe materialeve zgjedhore. Me siguri do kërkojmë edhe ekspertë të jashtëm të përfshihen në procesin e vlerësimit teknik të pajisjeve”, ka thënë ai.

Eksperiencat e vendeve të tjera, sipas Celibashit, kanë treguar dështime në implementimin e teknologjisë së informacionit dhe procesi nuk ka pasur këtë kontest që ka pasur në vendin tonë.

Ai ka komentuar ndër të tjera edhe një video të shpërndarë në mediat sociale të keqpërdorimit të pajisjeve për votimin elektronik.

Ai ka thënë se ishin pamje irrituese dhe se KQZ për çdo hap të procesit që nuk ka shkuar mirë do të ketë qëndrimet e veta.

“I keqardhur dhe i inatosur kur i kam parë ato pamje, ma dërguan para se të dilnin në rrjetet sociale. Janë punëtorë të rekrutuar gjatë kësaj kohë, nuk e them për justifikim”, ka deklaruar ai.

“Pamje shumë irrituese. Nuk është cinizëm të them që ai gjest të errësojë e të eklipsojë përpjekjen e ndershme e korrekte të këtij institucioni”, ka vijuar ai.

Po ashtu ka shtuar se ky është një veprim i dënueshëm edhe në pikëpamje administrative.

Më parë, Kryeministri Edi Rama ka kritikuar ashpër KQZ-në për performancën lidhur me identifikimin elektronik të zgjedhjeve, duke e quajtur atë edhe si “dështim spektakolar” të pafalshëm, i cili ka kushtuar miliona euro.

Kështu i është përgjigjur ai pyetjes se çfarë mendon mbi raportin paraprak të OSBE/ODIHR, lidhur me zgjedhjet vendore të 14 majit.

Rama përkufizoi se nuk e ka lexuar këtë raport, por theksoi se çështja e mosfunksionimit të pajisjeve në orët e para të mëngjesit dhe dekurajimi i votuesve për të ushtruar të drejtën e tyre kësisoj, është e rëndë.

“Kjo ishte e rëndë dhe tronditëse sepse pajisjet elektronike kanë kushtuar lekë. KQZ është për atë ditë, është i pafalshëm dhe i pajustifikueshëm. Nuk do e lëmë me kaq këtë çështje, as kur pamë skenat e pajisjeve që hidheshin si arka bosh. Miliona, miliona euro për të garantuar shqiptarët për një proces më të sigurt”.

Megjithatë, mbi akuzat se rezultati zgjedhor është deformuar, të cilat kanë ardhur nga opozita, ai i ka hedhur poshtë, duke thënë se “e kishte parashikuar se do të ndodhte, por jo se shpejtësia e mohimit të realitetit do të ishte aq e beftë pas procesit”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore