Shqipëria

Çela flet si “socialist”: T’i japim shansin PS-së ta drejtojë Shkodrën


Deputeti më i ri (ende i pazyrtarizuar) në radhët e Partisë Socialiste, Agron Çela ka reaguar për herë të parë si pjesë e mazhorancës duke i bërë thirrje elektoratit të tij për zgjedhjet vendore të 14 majit.

“Unë ju ftoj që fuqinë tonë politike dhe elektorale të padiskutueshme, ta kanalizojmë në mbështetje të mazhorancës për projektet që ajo ka në drejtim të zhvillimit të Shkodrës. Ne duhet t’i japim shansin PS-së që ta drejtojë Bashkinë Shkodër, pas 30 viteve të drejtimit të PD-së, dhe të mos vazhdojmë me ngarkesa emocionale, që asnjë të mirë nuk i kanë sjellë Shkodrës”, u shpreh fillimisht ai.

Sipas tij, mazhoranca qeverisëse ka përgatitur një paketë investimesh shumë të rëndësishme për Shkodrën, ndaj qytetarët duhet të bëhen mbështetësit e këtij ndryshimi.

Kjo, duke votuar për kandidaturën e saj të krijuar për një koalicion “të fuqishëm më qytetarët”.

Edhe pse në përmbyllje të reagimit të tij, ai shkruan se mbetet vetëm deputet i Qarkut të Shkodrës, kahu politik duket zyrtarisht i ndryshuar për Çelën.

Në rrjet qarkulloi gjatë muajit dhjetor një foto që konfirmonte më shumë “firon” brenda Partisë së Lirisë.

Bëhej fjalë pikërisht për deputetin Agron Çela, i cili u shfaq në shoqërinë e ministres së Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin, Elisa Spiropali.

Në foto gjendej edhe Edmond Ndou, i cili ka qenë më herët kreu i degës së Partisë së Lirisë në Shkodër.

Siç mësoi Albanian Post, shumë shpejt Çela, një figurë e mbështetur gjerësisht në Shkodër dhe shumë i lidhur me klubin e futbollit Vllaznia, do të shkëputej nga Partia e Lirisë, si pasojë e kundërshtive të forta që ka me politikbërjen aty.

Burime pranë kësaj force politike për Albanian Post, bëjnë me dije se pakënaqësitë e deputetit, janë të lidhura me kohën kur u dogjën mandatet nga Partia Demokratike dhe LSI-ja, në vitin 2019.

Çela ishte kundër këtij vendimi dhe nuk e ka mbështetur atë, pavarësisht se ka respektuar vendimin e partisë.

Prej asaj kohe, u përfol se ai do ta linte LSI-në përfundimisht, për pakënaqësi me mënyrën e organizimit, por një gjë të tillë nuk e ka bërë, duke parë se kreu i vërtetë i të majtëve të qendrës, ka qenë realisht në postin e kreut të shtetit.

Me pritjen e rikthimit të Metës në krye të partisë, Çela ka pritur për ndryshime të mundshme, por siç mëson AP-ja, përtej emrit, asgjë tjetër nuk është ndërruar dhe pakënaqësitë kanë vijuar.

Madje, ai ka munguar për një kohë krejtësisht në mbledhjet e partisë, si shenjë refuzimi për politikat e ndjekura nga LSI-ja dhe si vijim të shprehjes së pakënaqësisë për djegien e mandateve dhe mos-hyrjen në zgjedhjet vendore të vitit 2019.

Me shkëputjen kësisoj nga PL-ja, Çela mbetet si deputet i Kuvendit të Shqipërisë dhe gjasat më të mëdha janë që ai të kalojë për nga radhët e Partisë Socialiste.

Së pari, sepse ideologjikisht, atë nuk e lidh asgjë me Partinë Demokratike dhe së dyti, edhe për një miqësi të hershme me deputeten socialiste, Elisa Spiropali, e cila ushtron edhe detyrën si ministre e Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin.

Kjo e fundit, është edhe drejtuese politike e qarkut Shkodër për Partinë Socialiste mbi të gjitha.

Teksa, një “flirt” me mazhorancën, Çela e ka pasur edhe në shkurt të këtij viti, kur në Parlament, dha votën pro ndryshimeve kushtetuese për zgjatjen e afatit të organeve të vettingut, edhe pse LSI-ja në bllok votoi abstenim.

Këtë kalim, sipas burimeve të Albanian Post, është e mundur ta shohim në kohët në vijim, për kalimin përfundimtar, i cili do t’i jepte socialistëve jo vetëm një numër më shumë në Parlament, por edhe një emër shumë të fortë përkrahës në zonën e Shkodrës (zonë historikisht bastion demokrat), ku Çela ka edhe mbështetje të madhe.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore