Lajme

Çekët ndalojnë linjat ajrore ruse, qeveria mendon më shumë sanksione


Republika Çeke i ndaloi linjat ajrore ruse të fluturojnë në vendin e Evropës Qendrore nga e shtuna dhe po shqyrton hapa të mëtejshëm kundër Rusisë për sulmin e saj në Ukrainë, përveç sanksioneve të miratuara nga Bashkimi Evropian.

Për të ndihmuar Ukrainën, qeveria çeke do të dërgojë karburant dhe gjak, si dhe do të lëshojë 300 milionë korona (valuta çeke) në ndihmë për refugjatët. Këtë e ka konfirmuar kryeministri Petr Fiala.

Ky i fundit tha se Praga do të përshpejtojë gjithashtu daljen e saj nga dy banka ndërkombëtare të krijuara në epokën sovjetike, ndërsa Ministria e Financave do të analizojë aksesin e kompanive ruse në fondet publike çeke.

Të enjten, liderët e Bashkimit Evropian ranë dakord të vendosin sanksione të reja ekonomike ndaj Moskës, duke iu bashkuar Shteteve të Bashkuara dhe Britanisë, ndërsa ata kërkonin të ndëshkonin presidentin rus Vladimir Putin dhe aleatët e tij për sulmin ndaj Ukrainës.

Fiala shtoi se kujtimet e pushtimit sovjetik të Çekosllovakisë në vitin 1968 e bënë qëndrimin çek më të ashpër se ai i disa partnerëve evropiano-perëndimorë.

Pamje nga bombardimet ruse në afërsi të Kievit

Ministri i Transportit, Martin Kupka, tha se ndalimi i fluturimeve prek linjat Pragë-Moskë dhe Pragë-Shën Petersburg.

Ndërsa kryeministri çek vijoi se lejet e qëndrimit do të rishikohen në lidhje me sanksionet e miratuara nga BE-ja.

Qeveria në Pragë njoftoi të enjten se do të mbyllë dy konsullatat ruse dhe do të ndalojë lëshimin e vizave standarde për rusët.

Regjistri çek i domenit të internetit bllokoi faqet e internetit, me arsyen se po përhapnin dezinformata në lidhje me pushtimin, tha grupi “CZ.NIC”, duke shtuar se veproi sipas rekomandimit të qeverisë.

Raketat ruse goditën Kievin të premten, familjet u mbuluan në strehimore dhe autoritetet u thanë banorëve të përgatisnin kokteje molotov për të mbrojtur kryeqytetin e Ukrainës.

Për të lexuar zhvillimet e plota kliko KËTU

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore