Shqipëria

“Çdo sulm ndaj Kosovës, është sulm ndaj Shqipërisë”, Vuçiç: Deklarata e Ramës rrëqethëse, s’do ta sulmojmë askënd


Edi Rama dhe Aleksandër Vuçiç

Presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiç, i ka penguar deklarata e Kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama, i cili tha se “çdo sulm ndaj Kosovës, është sulm ndaj Shqipërisë”, duke e konsideruar të njëjtën si “rrëqethëse”, dhe ka shtuar se vendi i tij “nuk do ta sulmojë askënd”.

“Sot u dëgjua nga një shtet fqinj se nëse dikush sulmon Kosovën, edhe pse nuk e di kush do të sulmonte, Shqipëria nuk do ta lejojë dhe do të jetë në atë anë. Pas një deklarate kaq të tmerrshme, dëgjohej vetëm një heshtje e madhe, aq e fortë saqë heshtja ishte e pakëndshme”, propagandoi Vuçiç, transmeton media opozitare serbe “Nova”.

“Askush nuk iu përgjigj deklaratave të tilla, imagjinoni sikur dikush nga ne ta kishte thënë këtë, do të kishit dëgjuar bubullimat e mallkimeve, fyerjeve dhe fushatave më të pista nga e gjithë bota”, shtoi ai.

Presidenti serb theksoi se shteti që ai udhëheqë do të mbrojë marrëdhëniet e saj me Evropën, por edhe se “nuk do të shkelë marrëdhëniet e saj me Rusinë apo Kinën”.

“Për sa i përket neve, nuk kemi nevojë të sulmojmë askënd dhe nuk do ta bëjmë. Ne kemi nevojë për Evropën, ndoshta jo hipokrizinë e saj, por nuk mund të bëjmë pa të”, pohoi.

Më 14 shkurt, kryeministri Rama, kishte thënë se çdo sulm ndaj Kosovës, është sulm ndaj Shqipërisë, porse kishte shtuar se në vlerësimin e tij, Prishtina duhet të dalë nga loja e Serbisë në dialog.

Rama kishte theksuar se thelbi i gabimit strategjik që bëjnë të gjithë ata që mendojnë se subjektiviteti ndërkombëtar i Kosovës dhe shtetnjohja përfundimtare e Kosovës do të vijnë përmes një procesi ku Kosova do bëjë garë me Serbinë se kush e ka më shumë fajin.

“Jo, në këndvështrimin tim dhe unë këtë e kam thënë gjithmonë, qasja jonë strategjike e shqiptarëve dhe në këtë rast flasim për Kosovën, por mendoj që kështu është edhe për Shqipërinë dhe kështu duhet të jetë për të gjithë shqiptarët, nuk është që të fajësojnë të tjerët, apo të hyjmë në lojën e fajësimit të njëri-tjetrit në sensin ‘jo shiko, dakord, ne jemi mbase këtë, po shiko ata’”, përcaktoi ai.

Më tej, ai ka përforcuar edhe faktin se Shqipëria dhe Kosova nuk kanë punë me çfarë bën Serbia, pasi gjithçka që dy shtetet bëjnë, e bëjnë për veten dhe jo për fqinjët.

Kosova, sipas tij, e ka një detyrim ndaj vetes që të shkëlqejë në procesin e dialogut.

“Kosova, për veten e saj duhet të tregojë ndërkombëtarisht një qenie e cila është plotësisht e vetëdijshme për barrën e flamurit që ka, për barrën e Kushtetutës që ka, për barrën e përgjegjësisë që ka, si një aktor i ri, si një anëtar i ri i bashkësisë ndërkombëtare. Nuk është Serbia etaloni dhe nuk është Serbia standardi dhe nuk është Serbia pika e referimit”, shtoi.

Rama thotë se çdo sulm ndaj Kosovës është edhe ndaj Shqipërisë, por Prishtina duhet të dalë nga loja e Serbisë

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore