Lajme

Carla del Ponte: Gjykata Ndërkombëtare të lëshojë urdhërarrest për Putin-in, është kriminel lufte


Ish-prokurorja e Gjykatës së Hagës, Carla del Ponte

Ish-prokurorja e Gjykatës së Hagës, Carla del Ponte, i ka bërë thirrje Gjykatës Ndërkombëtare që të lëshojë një urdhërarrest për presidentin rus Vladimir Putin.

“Putini është një kriminel lufte,” tha Del Ponte, e cila ka hetuar për krimet e luftës në Ruandë dhe ish-Jugosllavi, në një intervistë për të përditshmen franceze “Le Temps”.

Megjithatë, lëshimi i një urdhër-arresti nuk do të thotë se Putin-i do të përfundojë pas hekurave.

“Nëse ai qëndron në Rusi, nuk do të ndodhë kurrë”, shpjegon ajo.

“Por, ai nuk do mund të largohej nga vendi dhe do të ishte një sinjal i fortë për të se ka shumë shtete kundër tij”, thotë Del Ponte.

Ish-prokurorja nga Zvicra, shton se jo veç për Putin, por do të duhej të lëshohej urdhërarrest për të gjithë gjeneralët që e udhëheqin luftën e ushtrisë ruse.

Vladimir Putin

Gjithashtu, edhe për zyrtarët e lartë politikë që e kanë përkrahur luftën.

Kriminel lufte në deklaratat e tyre e kanë cilësuar Putin-in edhe disa nga liderët kryesorë perëndimorë.

Ishte edhe presidenti amerikan, Joe Biden, që, i pyetur nga gazetarët, tha se Putin “është kriminel lufte”.

I ashpër ka qenë me deklarata edhe kryeministri britanik, Boris Johnson.

Ai, në disa raste, e ka krahasuar invazionin rus me sulmet e paramilitarëve serbë në Bosnje e Kosovë, derisa Putin-in e ka krahasuar me Slobodan Millosheviçin.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore