Lajme

Burrat dëshirojnë të rrisin kujdesin në shtëpi, por strukturat sociale i pengojnë


Në mbarë botën, burrat janë të etur për të rritur përgjegjësitë e tyre të kujdesit në shtëpi.

Por pritshmëritë e rrënjosura sociale dhe mungesa e mbështetjes po i dekurajojnë ata që ta bëjnë këtë.

Midis 70 për qind dhe 90 për qind e meshkujve në 16 nga 17 vendet e anketuara në studim kanë thënë se ndjeheshin po aq përgjegjës për punën e kujdesit si partner.

Mirëpo, pagesa e pabarabartë dhe politikat e pamjaftueshme të qeverisë nënkuptojnë se gratë ende kryejnë deri në shtatë herë më shumë punë të kujdesit të papaguar në disa vende.

India ishte përjashtimi i vetëm i vendeve të anketuara, ku vetëm 25 për qind e meshkujve ndihen po aq të përgjegjshëm sa partnerja e tyre kur bëhet fjalë për punën e kujdesit të papaguar.

“Gjetjet tona tregojnë atë që ne tashmë dyshonim: burrat duan të kujdesen”, ka thënë Taveeshi Gupta, drejtor i kërkimit, vlerësimit dhe mësimit në OJQ-në me qendër në SHBA, Equimundo, e cila publikoi raportin.

“Ekziston një shkallë e lartë e dëshirës për t’u përfshirë në një sërë detyrash të kujdesit, për shembull kujdesi për fëmijët. Ndërsa gratë po bëjnë më shumë orë kujdesi në të 17 vendet që ne anketuam – burrat tani po vetëraportojnë më shumë orë kujdes se më parë.”

Raporti anketoi rreth 12 mijë burra, gra dhe njerëz të ndryshëm në vende si Kolumbia, Ruanda, Afrika e Jugut, Australi, Irlandë, Kinë dhe SHBA.

Ai zbuloi se, globalisht, burrat shpenzojnë vetëm 19 për qind të kohës së tyre jo të lirë në punë të papaguar krahasuar me 55 për qind për gratë.

Sipas raportit, burrat që dëshirojnë të rrisin ngarkesën e tyre të punës në shtëpi pengohen nga strukturat sociale që nuk janë krijuar për të akomoduar kujdestarët meshkuj.

“Mesatarisht, pagat e meshkujve në mbarë botën janë një të pestën më të larta se ato të femrave”, ka thënë Gary Barker, shefi ekzekutiv i Equimundo.

“Shumë familje do të marrin vendimin që puna e paguar e burrit të sjellë më shumë në familje”.

Një nga politikat kryesore që rekomandon raporti është leja prindërore e patransferueshme dhe e barabartë për të dy prindërit.

“Ne nuk duam të shohim uljen e lejes së grave, përkundrazi duam që leja e burrave të zgjatet”, ka thënë Barker.

“Në vendet ku leja prindërore është e transferueshme – ku secili prind mund ta kërkojë atë – burrat nuk kërkojnë kurrë të njëjtën sasi leje si gratë”.

Megjithëse 85 për qind e baballarëve të anketuar kanë thënë se marrja e lejes së paguar për kujdes do të ishte me përfitim për partnerët dhe fëmijët e tyre, shumë raportuan pengesa në vendin e punës dhe në shoqëri.

“Ne kemi nevojë për ditë që u ofrohen burrave për të barazuar ato që u ofrohen grave”, ka thënë Barke.

“Por ne gjithashtu kemi nevojë për mekanizmat për ta promovuar atë, për t’u treguar njerëzve se ata nuk do të përballen me pasoja për ta pretenduar atë, sepse të gjithë shefat dhe menaxherët e tyre gjithashtu po shkojnë në pushim”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore