Lajme

Burime diplomatike për Albanian Post: Zero shanse që KS-ja të miratojë kthimin e trupave serbe në Kosovë


Këshilli i Sigurimit pranë Organizatës së Kombeve të Bashkuara nuk do të miratojë një kërkesë të mundshme nga Serbia për rikthimin e trupave të sigurisë serbe në Kosovë.

“Nëse do të ketë kërkesë, çka nuk besoj se do të jetë rasti, nuk ka asnjë shans që KS-ja të miratojë ndonjë kërkesë të tillë. Siguria në Kosovë garantohet nga institucionet dhe nga KFOR-i”, thekson një burim diplomatik për Albanian Post.

Kujtojmë që fillimisht ishte Petar Petkoviç, drejtor i të ashtuquajturës Zyra për Kosovën në Qeverinë serbe, e më pas kryeministrja serbe Ana Brnabiç, që thanë se udhëheqja e Serbisë është pranë një vendimi për të kërkuar vendosjen e trupave të sigurisë serbe në Kosovë, duke pretenduar se jetët e minoritetit serb atje janë në rrezik.

Albanian Post ka siguruar informacionin se ende nuk është paraqitur një kërkesë e tillë pranë Këshillit të Sigurimit.

Zyrtarët serbë pohojnë se rezoluta 1244 e OKB-së, lejon kthimin e rreth 1 mijë ushtarëve serbë në Kosovë.

Por, është pikërisht misioni paqeruajtës i KFOR-it, i cili ka qenë i pranishëm në Kosovë që nga fundi i luftës, i cili do të duhej të miratonte kthimin e trupave serbe.

Dicka e tillë është praktikisht e pamundur, pasi po të ndodhte do të nënkuptonte dorëzimin e detyrimeve për sigurinë në Kosovë.

Ideja e kësaj kërkese erdhi një ditë pasi sulmues të armatosur të panjohur plagosën një polic të Kosovës.

Rezoluta 1244

Në përputhje me Rezolutën 12/44, Kosova shpejt u vendos nën administrimin ndërkombëtar.

Përderisa projekti i Rambujesë kishte paraparë një periudhë qeverisjese të përkohshme që do të zgjaste tre vjet, faza e përkohshme nën prezencën ndërkombëtare zgjati tetë vjet e gjysmë.

Gjatë kësaj periudhe, autoritetet e Kosovës gradualisht morën mbi vete shumicën e aspekteve të politikës publike, nën udhëzimin apo, siç thuhet ndryshe, nga tutela e administratorëve të Kombeve të Bashkuara.

Rezoluta e Këshillit të Sigurimit 12/44 u miratua më 10 qershor 1999 me katërmbëdhjetë vota për dhe asnjë kundër – Kina abstenoi. I gjithë teksti i Rezolutës iu nënshtrua Kapitullit VII të Kartës së OKB-së.

Mirëpo, çka thotë Pika 6 e Rezolutës 12/44, Aneksi II, fusnota 2?

Më 9 qershor, në Kumanovë u nënshkrua Marrëveshja ushtarako-teknike, që kishte paraparë një plan të detajuar të tërheqjes edhe pse ishte paraparë rikthimi i një prezence të vogël ushtarake RFJ/Serbi në një fazë të mëvonshme, si reflektim i dispozitave të një plani më të detajuar paqeje që ishte pranuar më 1 qershor.

Pas tërheqjes, sipas pikës 6, Aneksi II, një numri të caktuar të personelit serb dhe jugosllav do t’i lejohet kthimi në Kosovë për t’i kryer funksionet e mëposhtme:

– Ndërlidhja me misionin civil ndërkombëtar dhe me praninë ndërkombëtare të sigurisë;

– Shënjimi/pastrimi i fushave të minuara (është konsumuar si problem);

– Mbajtja e një pranie pranë objekteve të trashëgimisë serbe;

– Mbajtja e një pranie në vendkalimet kryesore kufitare.

Ndërsa vendimi bie në diskrecionin e Komandantit të KFOR-it.

Kurse, shënimi 2 thotë: “Kthimi i personelit për t’i kryer të katër funksionet e specifikuara më lartë do të bëhet nën mbikëqyrjen e pranisë ndërkombëtare të sigurisë dhe numri i tyre do të jetë i kufizuar (qindra, jo mijëra).

Pra, kthimi i personelit serb, sipas Rezolutës (sëpari nuk specifikohet të jetë ushtarak, pra literalisht saktësohet të jenë qindra, jo mijëra) do të përcaktohet me këtë Marrëveshje.

Tërheqja e plotë serbe nisi atëherë, kurse nisja e zbarkimit të forcave të NATO-s ndodhi të nesërmen.

Megjithatë, përderisa kushtet e kapitullimit të RFJ-së në luftë nuk mund të dihen saktësisht, nuk dihen as kushtet nën të cilat, NATO mund ta lejonte këtë ose jo, duke u nisur mbi faktin se në ndërkohë lindi një shtet i ri.

Kosova është njohur nga 116 kombe të botës, përfshi SHBA-të, Britaninë dhe katër shtetet tjera të QUINT-it, si dhe Deklarata e Pavarësisë është konfirmuar nga Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë (korrik 2010), plotësisht në përputhje me të drejtën ndërkombëtare.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore