Shqipëria

Bumçi: PD e kthyer në bunker, i shërben vetëm Bashës dhe Ramës


“PD nuk ka qenë e mbyllur në 30 vjet dhe në kohë më të vështira, por tani është kthyer në një bunker”.

Ka qenë kjo deklarata për mediat e Aldo Bumçit, anëtar i Grupit të Komisionit i ashtuquajtur i Rithemelimit, nga oborri i selisë blu duke e cilësuar selinë blu një “bunker”.

Më tej, ai ka sqaruar se kanë zgjedhur t’i zhvillojnë mbledhjet e tyre në këtë godinë, pasi “kjo është shtëpia jonë”.

Bumçi tha se “kemi ardhur këtu, me drejtuesit e tre degëve, nr. 2, 3 dhe 7, që kemi mbuluar gjatë fushatës dhe kishim caktuar një vend pune dhe vend tjetër nuk ka”.

Sipas tij, selia po i shërben vetëm “Lulzim Bashës dhe Edi Ramës”.

“Një opozitë që është izoluar nga demokratët, shoqëria, i shërben qeverisë. Ky turp, kjo shëmti, është kriminale. Projekt për të zhdukur opozitën! Opozita është gjallë. Opozita është në këmbë. Kjo është kriminale, projekti për të zhdukur opozitën”.

Megjithatë, Bumçi theksoi se “këtë bunker, do ta kthejmë në shtëpi të madhe të demokratëve”.

“Thelbi është thellësisht politik. Ne jemi treguar të qytetëruar. Ne nuk kemi bllokuar hyrje, ne zgjodhëm rrugën institucionale. Kam një thirrje për miqtë e kolegët në PD që mbështesin Bashën: nuk mund të sillen sikur kjo është një çështje mes Bashës e Berishës. Nuk mundet të sillen si njerëz jo politikë”.

Një ditë më parë, po nga ky grup, ishte deputeti Flamur Noka, i cili tha se PD është kthyer në “Alcatraz”, burg i sigurisë së lartë.

Më 8 janar është data e caktuar për zhvillimin e protestës të thirrur nga ish-kryeministri Sali Berisha.

“Lër karrigen, ose anëtarësia do të bëhet përmbaruese e vendimeve të Kuvendit të 11 dhjetorit për shkarkimin e Bashës”, ka thënë ish-kryetari.

Ultimatumi i 5 janarit

Ultimatumi përpara mbylljes së vitit 2021, ishte i qartë.

“Më 5 janar, Basha duhet të ketë lënë zyrën, ose anëtarësia e PD-së do të kthehet në përmbaruese të vendimeve të Kuvendit të 11 dhjetorit”.

Me kaq, Komisioni i Rithemelimit i formuar nga Berisha, bëri paralajmërimin ndaj Bashës.

Vetë Basha, sapo mori vesh “kërcënimin” ndaj tij, doli në një konferencë për shtyp mbi çështjen.

Në një qasje shumë të qetë të tijën ndaj Berishës, Basha u artikulua qartësisht: Asgjë nuk ndodh më 5 janar.

Logo e re – vulë e re 

Më 15 dhjetor, kryetari i Komisionit të ashtuquajtur të Rithemelimit në PD, Belind Këlliçi, i “zhbëri” vendimet e Lulzim Bashës, duke argumentuar se Kuvendi i 11 dhjetorit – i njohur si Kuvendi i Berishës – nëpërmjet një rifreskimi të logos dhe vulës së demokratëve ka bërë të mundur zhvlerësimin e vendimeve të Bashës.

As një muaj më vonë, Basha bëri një lëvizje në seli. Ai vendosi në dyer e xhama, logon historike të Partisë Demokratike.

E, në fakt, ky vendim erdhi në ditën e tretë të vitit të ri dhe vetëm dy ditë përpara ultimatumit që Berisha i ka vendosur kryedemokratit.

Nga ana tjetër, një prej mbështetëseve të Berishës, Evi Kokalari, ka pretenduar se ndryshimi i pamjes së selisë i bërë nga Basha, është realisht një “blindim me ushtarë të armatosur brenda godinës”.

“Dy konkluzione mund të nxjerrim me këto veprime. Lulit i ka hipur frika në palcë nga protesta paqësore e 8 Janarit. Luli po tregon karakterin e tij diktatorial ku i ka thënë vetes do ta mbaj selinë peng me dhunë”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore