Lajme

“Bullgarisë t’i hiqen vizat për ShBA, të hyjë në Schengen – që ta heq veton ndaj Maqedonisë së Veriut”


Ilustrim

Një nga liderët e koalicionit qeverisës në Bullgari, Slavi Trifonov, ka thënë se Sofja zyrtare kërkon një “regjim pa viza me Shtetet e Bashkuara të Amerikës (ShBA) dhe pranim urgjent në zonën Schengen nga Bashkimi Evropian (BE)” për të zhbllokuar fillimin e negociatave midis Maqedonisë së Veriut dhe BE-së.

“Nëse Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian duan të jenë partnerë besnikë, ata duhet të na mundësojnë një regjim pa viza me Shtetet e Bashkuara dhe një hyrje urgjente në zonën Shengen” duke shtuar se “Besnikëria është një rrugë me dy drejtime”, ka shkruar Trifonov në rrjetin social Facebook.

Ai tutje shpjegoi qëndrimet e tij mbi zgjidhjen e problemeve me Maqedoninë e Veriut një javë përpara takimit të paralajmëruar të Unionit Konsultativ Bullgar, i planifikuar për 10 janar.

“Çështja është se çfarë duhet të bëjmë për të ruajtur dinjitetin tonë”, shkruan politikani bullgar, duke i komplikuar më tej marrëdhëniet tashmë komplekse mes dy vendeve.

Slavi Trifonov

Trifonov deklaroi gjithashtu se Bullgaria është nën presion të madh për shkak të refuzimit të zhbllokimit të fillimit të negociatave të Shkupit me BE-në dhe se “të gjithë kërkojnë dorëzimin e Sofjes”.

Autoritetet maqedonase janë në pritje që fillimi i përfundimit të zgjidhjes së problemeve ndërmjet dy vendeve mund të fillojë menjëherë pas formimit të qeverisë nga Dimitar Kovaçevski, me shpresën se mysafiri i parë i huaj i Shkupit në vitin e ri do të jetë kryeministri i ri bullgar Kiril Petkov.

Kiril Petkov

Bullgaria beson se Maqedonia e Veriut duhet të pajtohet me një sërë lëshimesh, në mënyrë që Sofja të zhbllokojë fillimin e negociatave të Shkupit me Bashkimin Evropian.

Kryeministri bullgar, Petkov, paralajmëroi dinamikë të re të negociatave dhe më shumë përpjekje të fokusuara në çështjet ekonomike, meqenëse Shkupi dhe Brukseli prisnin qëndrim më të arsyeshëm për zgjidhjen e problemit.

Në mesin e vitit të kaluar, Bashkimi Evropian kishte filluar një nismë mjaft ambicioze, duke u përpjekur të bindë Sofjen, kryesisht verbalisht, të heqë dorë nga kushtet e mëtejshme për fillimin e negociatave me Shkupin, duke pretenduar se i gjithë procesi mund të përfundojë deri në fund të dhjetorit.

Emanuel Macron urdhëroi diplomatët francezë që të lobojnë për këtë qëllim në të gjithë BE-në, por i gjithë procesi dështoi për shkak të zgjedhjeve në Bullgari, kështu që çështja maqedonase në Bruksel u shty për të paktën gjashtë muaj.

Në vitin 2017, Bullgaria dhe Maqedonia nënshkruan Marrëveshjen për miqësi, marrëdhënie të fqinjësisë së mirë dhe bashkëpunim, të cilën Shkupi e konsideron të vetmin parakusht për fillimin e negociatave me BE-në.

Autoritetet në Sofje, nga ana tjetër, konsiderojnë se para fillimit të negociatave është e nevojshme të zgjidhen çështjet që kanë të bëjnë me identitetin kombëtar maqedonas, përkatësisht çështjen e gjuhës dhe identitetit të heronjve kombëtarë, përfshirë edhe Goce Dellçevin.

Bullgaria është i vetmi vend që bllokon fillimin e negociatave të Shkupit me Bashkimin Evropian.

Muajt e fundit, një qëndrim i tillë i Bullgarisë ka hasur në dënime të qarta nga zyrtarët evropianë, në radhë të parë për shkak se deklaratat e politikanëve bullgarë nuk e bëjnë shumë të qartë se çfarë duan në të vërtetë ata.

Albanian Post, lidhur me problemin mes Maqedonisë së Veriut dhe Bullgarisë, ka realizuar një dokumentar ku tregohen në detaje problemet mes dy vendeve.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore