Rajoni

Bullgaria dhuron vaksina për Maqedoninë e Veriut


Ministri i Shëndetësisë së Maqedonisë së Veriut, Venko Filipçe, ditën e martë deklaroi se Maqedonia e Veriut do t’i marrë falas dozat e para të vaksinës kundër koronavirusit, nga shteti i Bullgarisë.

Filipçe mori pjesë në mbledhjen e Qeverisë bullgare, ku kjo e fundit njoftoi se do t’i dhuronte një sasi të vaksinave nga furnizimet e saj.

“Për dozat do të mësojmë në periudhën që vijon. Besoj se sasia e parë te ne do të arrijë në janar, edhe pse se situata nuk është vetëm në dorën e tyre dhe absolutisht i kuptoj që presioni nga vendet e gjithë botës është i madh”, tha Filipçe pas kthimit nga vizita në Sofje.,

Sipas ministrit të Shëndetësisë së Bullgarisë, Kostandin Angelov, fillimisht do të mbërrijnë vaksinat Pfizer/BioNTech, pastaj ato Moderna dhe AstraZeneca.

Ky premtim erdhi pas tensioneve që patën dy shtetet, pasi Bullgaria ishte një nga vendet që i bllokoi negociatat e Maqedonisë së Veriut për antarësimin në Bashkimin Evropian.

Në Maqedoninë e Veriut, vazhdon të ketë rënie të numrit të të infektuarve me koronavirus. /AlbanianPost.com

 

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore