Shqipëria

BSPK-ja: Më 12 maj grevë, më 20 maj protestë


Bashkimi i Sindikatave të Pavarura të Kosovës.

Bashkimi i Sindikatave të Pavarura të Kosovës, ka marrë vendim që të gjithë punëtorët e sektorit publik më 12 maj, të mbajnë grevë njëorëshe për mospërfilljen e kërkesës për 100 euro shtesë çdo muaj deri në miratimin e Ligjit për Paga.

“Bashkimi i Sindikatave të Pavarura është shumë unik. Ne sot vendosëm që, krahas që është hapur një tunel i vogël për dialog social me Qeverinë e Kosovës, ne do të vazhdojmë veprimet tona. Me datën 12 maj kemi vendos të shkojmë me një grevë njëorëshe për të gjithë të punësuarit e Kosovës:

Ndërsa më 20 maj është paralajmëruar protestë.

“Vazhdojmë me protestë me datën 20 maj dhe me veprime tjera sindikale”.

Bashkimi i Sindikatave të Pavarura të Kosovës.

Në anën tjetër, kryetari i Sindikatës së Bashkuar të Arsimit, Shkencës dhe Kulturës, Rrahman Jasharaj, ka thënë se dera për dialog me Qeverinë s’është e mbyllur.

“Pritja jonë është deri më datën 12 dhe do të ketë një grevë në tërë Kosovën. Pastaj pas kësaj greve do të kemi një protestë besoj madhështore ku të gjithë të punësuarit e Kosovës do të jenë në sheshin ‘Skënderbeu’. Dhe nëse edhe nuk reflektojnë sa duhet dhe nuk arrijmë marrëveshje atëherë pas protestës, sindikatat do të shkojnë në grevë të përgjithshme duke e paralizuar edhe sistemin arsimor por edhe tërë sektorët tjera”.

Sipas Jasharit, është duke iu jepur hapësirë dialogut me qeverinë, por që të njëjtën kohë do të ketë edhe veprime.

“Dy janë kërkesa kyçe të të gjitha sindikatave, pra 100 euro shtesë në paga deri në aprovimin e ligjit të pagave dhe po kërkojmë që ligji i pagave pasi që ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, tha që është kryer dhe ka shkuar në Ministrinë e Financave, të ulemi dhe ta shohim a janë respektuar kërkesat e secilës sindikatë. Nëse jo, do të ulemi dhe do të marrim veprime edhe më radikale se këto që i kemi paralajmëruar”, ka shtuar ai.

Ligji për pagat në Kosovë

Qeveria e Kosovës, në vitin 2019 e drejtuar në atë kohë nga kryeministri i Kosovës Ramush Haradianaj, pati dërguar projektligjin për pagat në Kuvend, i cili ishte miratuar.

Ligji parashihet ngritjen e pagave të 70 për qind të shërbyesve civilë. Përmes këtij ligji, një mësimdhënësi të shkollës fillore do t’i rritej paga nga 470 euro në 612 euro, ndërsa një mjeku specialist nga 600 euro në 1 mijë e 195 euro.

Edhe për policinë edhe doganat ishin paraparë ngritje pagash, por jo edhe për zjarrfikësit.

Zjarrfikësit në protestë.

Por, institucioni i Avokatit të Popullit, në dhjetor të po atij viti, e kishte dërguar këtë ligj në Gjykatën Kushtetuese, për siç thuhej, “vlerësimin e përputhshmërisë” së tij me Kushtetutën.

Më 30 qershor të vitit 2020, Gjykata Kushtetuese e Kosovës e ka shpallur të pavlefshëm Ligjin për pagat në sektorin publik.

Sipas vendimit, ligji nuk është në përputhshmëri me 11 nene të Kushtetutës së Kosovës dhe shkakton “çrregullim të ndarjes së pushteteve në disfavor të jyqësorit dhe institucioneve të pavarura”.

Që nga korriku i viti 2019 e deri në mars të vitit 2021, Kosova ka pasur katër qeveri të ndryshme.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore