Lajme

Bregu Lindor i SHBA-ve, i mbuluar nga stuhia e borës ‘bombogjenezë’


Bregu Lindor i SHBA-ve është goditur nga stuhia e parë e madhe që përfshiu rajonin.

Pesë shtete shpallën gjendje emergjence disa orë përpara se bora e madhe dhe erërat e forta uragane të mbërthenin zonën.

Ekspertët paralajmëruan për reshje “historike” të borës në disa vende dhe paralajmërime për përmbytje në afërsi të bregdetit. Gati 6 mijë fluturime në SHBA janë anuluar.

Sinoptikanët thonë se temperaturat e ulëta do të shoqërojnë dhe të dielën në pjesën më të madhe të verilindjes.

Stuhia, e njohur si Nor’Easter, goditi pjesë të New Yorkut dhe Massachusetts me 61 centimetër borë deri në mbrëmjen e së shtunës. Më shumë se 95 mijë shtëpi në Massachusetts kanë ngelur pa energji elektrike.

Cape Cod në Massachusetts ishte një nga rajonet më të goditura.

Meteorologu vendas, Matthew Cappucci i tha medias britanike “BBC” se vëllimi i madh i borës ishte problem.

Matthew Cappucci

“Asnjë ekip rrugor në botë nuk mund ta përballonte këtë, dhe kjo do të thotë se të gjitha rrugët në thelb janë mbyllur”.

Shërbimi Kombëtar i Motit (NWS) konfirmoi të shtunën se stuhia kishte pësuar bombogjenezë, që do të thotë se ajri më i ftohtë përzihej me ajrin më të ngrohtë të detit, duke çuar në një rënie të shpejtë të presionit atmosferik. Procesi çon në një të ashtuquajtur ciklon bombë.

NWS në Boston paralajmëroi se njerëzit duhet të udhëtojnë vetëm në raste urgjente.

Stuhia e fuqishme filloi të godasë bregdetin e vendit në orët e para të mëngjesit të së shtunës, me centimetra reshje dëbore që tashmë mbuluan një sërë shtetesh.

Një paralajmërim për stuhi është lëshuar në të gjithë verilindjen, hera e parë që një alarm i tillë lëshohet që nga viti 2018.

Guvernatorët e New Yorkut, New Jersey, Maryland, Rhode Island dhe Virginia shpallën gjendje të jashtëzakonshme, duke u thënë banorëve të qëndrojnë në shtëpi për sigurinë e tyre.

Marrë nga BBC, përshtatur për Albanian Post

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore