Lajme

BQK-ja lëshon linjë pa pagesë për t’i informuar serbët rreth dinarit


Banka Qendrore e Kosovës.

Banka Qendrore e Kosovës (BQK), ka lëshuar në përdorim linjën pa pagesë me qëllim të informimit sa më të thjeshtë për qytetarët e komunitet serbë lidhur me rregulloren e re të saj ku ndalohet përdorimi i dinarit për kryerjen e pagesave.

Lajmin e ka bërë të ditur BQK-ja përmes një komunikate për media.

“Banka Qendrore e Republikës së Kosovës ka lëshuar në përdorim linjën PA PAGESË me qëllim të informimit sa më të thjeshte të qytetarëve nga komuniteti serb lidhur me rregulloren për operacione me para të gatshme”, thuhet në njoftimin e BQK-së.

Përveç numrit kontaktues BQK-ja ka thënë se qytetarët mund të marrin përgjigje edhe me e-mail.

“Qytetarët duke thirrur në numrin 0800 222-55 do të marrin përgjigje mbi këtë Rregullore dhe informata të përgjithshme”.

“Po ashtu, mund të dërgojnë pyetje në e-mailin e dedikuar për to: [email protected]”.

Më 1 shkurt, hyri në fuqi rregullorja e re e Bankёs Qendrore tё Kosovёs (BQK), nëpërmjet së cilës synohet të ndalohet qarkullimi i dinarit serb, duke specifikuar se valuta e vetme që lejohet për pagesa/transaksione është euro. Në zonat e banuara me shumicë serbe në Kosovë, përveç valutës euro, deri tani është përdorur edhe dinari nën sistemin paralel të financuar nga Serbia.

Në katër komunat në pjesën veriore të Kosovës – Mitrovicë e Veriut, Leposaviq, Zveçan dhe Zubin Potok – çmimet nëpër dyqane janë shënuar me dinarë. Viteve të fundit është praktikuar edhe importimi i dinarëve nga Serbia, por nga 1 shkurti i këtij viti, kjo praktikë është ndalur, duke nxitur reagimin e autoriteteve serbe dhe bashkësisë së organizuar ndërkombëtare.

Bashkimi Evropian (BE) dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës (SHBA) akuzuan Qeverinë e Kosovës se nëpërmjet “lëvizjeve të njëanshme” është duke nxitur “tensione të panevojshme” në pjesën veriore të vendit të banuar me serbë etnikë, ndërsa kërkoi shtyrjen e zbatimit të rregullores së BQK-së nën arsyetimin se mund të ketë ndikim negativ te komuniteti serb në Kosovë.

Në një përballje të rrallë publike të enjten në Këshillin e Sigurimit të Organizatës Kombeve të Bashkuara (OKB), dy liderë ballkanikë që assesi të dalin nga situata parakonfliktuale, akuzuan njëri-tjetrin për gjendjen e tendosur në marrëdhëniet ndërshetërore, ndërsa shtetet anëtare të OKB-së shprehën drojën për potencialin destruktiv të veprimeve të papërgjegjshme.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore