Lajme

Bota po vuan nga ‘uria për paqe’, thotë Papa Francesco


Krishtlindja nuk është edhe aq e begatë për të gjithë, për më tepër kur një pjesë jo e botës tashmë, por edhe e kontinentit evropian, është në luftë prej 24 shkurtit 2022.

E gjithë bota, sipas Papa Francesco-s në urimin e tij të përvitshëm të Krishtlindjes, po vuan “urinë e  paqes”, duke kërkuar sërish me zë të lartë shterimin përfundimtar të konfliktit në Ukrainë, në një luftë, të cilën e cilësoi si të “pamend”.

Pikërisht nga Ukraina, tregtohet 30% e gjithë grurit në botë dhe pas agresionit rus, gjithçka është përkthyer në rritje të çmimeve.

Kjo dekadë e fundit, e cila Francesco-n e gjen në krye të Papatit, ka pasur në fakt ulje-ngritje të shumta, përmes krizave, pandemisë e tashmë edhe luftës.

Por, përmes lutjeve dhe veprimit, ai shprehu bindjen se njerëzimi e ka fuqinë për ta rikthyer tokën aty ku i takon.

Ai solli në vëmendje edhe konfliktet e shumta në vendet e treta, kryesisht në Lindjen e Mesme, Myanmar, Haiti apo në Senegal dhe rajone të ndryshme të Afrikës.

Jashtë vëmendjes nuk mund të mbetej as Irani, i kapluar nga protestat, ku mbi 500 njerëz, përfshi rreth 70 fëmijë, janë vrarë në demonstrata sipas grupeve humanitare që veprojnë në Republikën Islamike.

Duke u rikthyer në luftën në Ukrainë më pas, ai shtoi se gjithë bota është prekur dhe ka pjesë të caktuara të globit, në risk real urie, kryesisht në Afganistan dhe në vende të ndryshme afrikane.

“E dimë që çdo luftë shkakton uri dhe e përdor ushqimin si një armë, duke ia mohuar dërgimin e bazës së parë njerëzve, të cilët po vuajnë”, shtoi më tej autoriteti më i lartë i Vatican-it.

Ndaj, për këtë arsye, nga politikanët dhe njerëzit të cilët kanë pushtetin të veprojnë, ai kërkoi më shumë përgjegjshmëri, për të gjetur rrugën që ushqimin, na kthejnë në instrument të paqes e jo të luftës.

Me bekimin tradicional, Urbi et Orbi, ai e mbylli fjalën, nën lutje për ditë më të mira.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore