Lajme

Borrell: Kurti dhe Vuçiç të jenë të gatshëm për kompromis, ta shmangin retorikën nxitëse


Josep Borrell

Përfaqësuesi i Lartë i Bashkimit Evropian, Josep Borrell, ua ka bërë me dije edhe njëherë Kryeministrit të Kosovës, Albin Kurtit dhe Presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiç se duhet të angazhohen në mënyrë konstruktive, të tregojnë gatishmëri për një kompromis dhe të respektojnë angazhimet e tyre në dialog.

Ai ka kërkuar edhe njëherë nga Qeveria e Kosovës ta shtyjë vendimin e shkallëzuar për targat dhe të fillojë procesin për themelimin e Asocacionit të Komunave me Shumicë Serbe.

“Kosova duhet t’i harmonizojë veprimet e saj për targat me marrëveshjet e kaluara të Dialogut dhe të nisë negociatat për themelimin e Asociacionit/Bashkësisë së Komunave me Shumicë Serbe pa vonesa të mëtejshme”, ka deklaruar ai, transmeton Shërbimi Evropian i Veprimit të Jashtëm.

Ndërka, ai iu ka bërë thirrje edhe përfaqësuesve serbë që të kthehen menjëherë në institucionet e Kosovës dhe të zbatojnë detyrat e tyre kushtetuese.

Josep Borrell dhe Albin Kurti

“Këto detyrime, të marra në kuadër të Dialogut, mbeten të vlefshme dhe të detyrueshme”.

“Mjedisi aktual gjeopolitik e bën edhe më të domosdoshme tejkalimin e trashëgimive të së kaluarës dhe angazhimin në negociata kuptimplote për atë që ka vërtet rëndësi për Kosovën, Serbinë, popullin e tyre dhe gjithë rajonin – që është normalizimi i marrëdhënieve ndërmjet dy Palët si një faktor kyç për të ecur përpara në rrugën e tyre evropiane”, theksoi ai.

Gjithashtu, Borrell nënvizoi rëndësinë e të përmbajturit nga çdo veprim i njëanshëm dhe retorikë nxitëse.

“Me luftën në Ukrainë, Evropa nuk mund të ketë një tjetër konflikt në tokën e saj. Është përgjegjësi e palëve që ta shmangin këtë për të mirën e njerëzve të tyre, të cilët do të humbasin më shumë nëse sjellja aktuale përshkallëzuese nuk ndryshon”.

“Pamundësia për të përmbushur detyrimet dhe përshkallëzimi i shpejtë do të ketë pasoja të dëmshme para së gjithash për njerëzit në Kosovë dhe Serbi, për të ardhmen evropiane të të dyja palëve dhe besueshmërinë e tyre në sytë e partnerëve evropianë dhe ndërkombëtarë”, shtoi diplomati spanjoll.

Ndryshe, të premten e 11 nëntorit, Borrell ka biseduar me Kurtin dhe Vuçiç’in në takime të ndara në margjinat e Forumit të Paqes në Paris.

Qëllimi i takimeve ishte adresimi i sfidave kritike në marrëdhëniet ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Diskutimet u fokusuan në ndihmën e palëve për të gjetur zgjidhjet e nevojshme urgjente për krizën aktuale dhe ruajtjen e paqes dhe stabilitetit në terren.

Takim trepalësh në Paris, Kurti e Vuçiç duhet patjetër të pajtohen për de-eskalim të Veriut

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore