Lajme

Takim trepalësh në Paris, Kurti e Vuçiç duhet patjetër të pajtohen për de-eskalim të Veriut


Foto nga Albanian Post

Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç, deklaroi pas takimit me homologun e tij francez, Emmanuel Macron, se nuk beson që do ketë takim trepalësh mes tij, Macron-it dhe kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti.

Por, urgjenca e situatës shkon përtej besimeve të Vuçiç, prandaj një takim tashmë është caktuar mes tre liderëve.

Albanian Post konfirmon nga burime diplomatike se në orët e vona të së premtes, apo më së largu në mëngjesin e ditës tjetër, do të ketë takim trepalësh.

“Refuzimi nënkupton sanksionim”, kanë thënë për AP-në burimet ndërkombëtare.

Nga takimi vështirë se do të mund të dilet pa arritur një pajtim, apo siç është quajtur Marrëveshje për De-eskalim, që përveç zhbllokimit të situatës së fundit të krijuar me vendimin për targat dhe largimin e serbëve nga institucionet, nënkupton edhe pajtim për rrugën drejt marrëveshjes së përgjithshme propozuar në planin franko-gjerman.

Ky dakordësim do të nënkuptojë qëndrimin besnik në raport me skenarin e prezantuar për para-marrëveshjen Kosovë-Serbi, që pajtimi i parë në rastin më të mirë arrihet deri në dhjetor të këtij viti dhe në të më rëndin, në shkurt të vitit të ardhshëm, kur shënon edhe një vjetori i luftës në Ukrainë.

Se pritet një akord i tillë në Paris është konfirmuar për Albanian Post edhe nga qeveria gjermane.

Një zëdhënës i kancelarisë i ka thënë AP-së se është “e vetëkuptueshme edhe për Kosovën edhe për Serbinë se duhet të arrihet një marrëveshje atje (në Paris)”.

“Ne, qeveria franceze dhe Komisioni Evropian po përpiqemi shumë për ta bërë të mundur këtë (marrëveshje). Ne jemi gjithashtu shumë aktivë në diskutime me të dy qeveritë dhe shpresojmë që shumë shpejt të ketë një proces në të cilin të dy palët do të ecin më tej dhe do të arrihet mirëkuptimi”.

Nga qeveria gjermane thuhet edhe se e kuptojnë se “kjo (marrëveshje) është diçka që duhet bërë me durim dhe forcë të madhe në të njëjtën kohë. Shpresojmë që së shpejti të shohim rezultate”, përfundon përgjigja e gjermanëve.

Për çfarë duhet të pajtohen fillimisht Kurti e Vuçiç?

Marrëveshja për de-eskalim konsiston në tri pika qendrore.

E para, një ri-konfirmim i të dy qeverive, Kosovës dhe Serbisë, se duhet ta konfirmojnë përkushtimin e tyre për marrëveshje bazuar në propozimin franko-gjerman.

Dy pikat tjera janë dy kërkesa, një për Serbinë dhe tjetra për Kosovën.

“Serbia pajtohet se kërkesa për Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe duhet të diskutohet vetëm përbrenda tërësisë së planit Franko-gjerman”, kurse Kosova pajtohet që të zbusë masat në raport me çështjen e targave”.

Ndërkombëtarët kanë drojën që situata mund të eskalojë shumë shpejt në Veri dhe ky shqetësim është shprehur edhe në një komunikim për mediat nga Bashkimi Evropian.

Të pyetur nga agjencia serbe e lajmeve Beta, se çfarë shohin si kërcënim për përshkallëzim të mëtejshëm në Kosovë, zyrtarë pranë EEAS-it janë përgjigjur se “lëvizjet e Prishtinës dhe reagimet e serbëve të Kosovës e bëjnë situatën të mbushur me rrezik”.

Por, ka edhe një shqetësim Akoma më të madh.

Nga BE, saktësisht nga Shërbimi i Veprimit të Jashtë (EEAS) që është shërbimi diplomatik dhe organi ekuivalent si Ministri e Jashtme dhe e Mbrojtjes së BE-së, thuhet se “ka edhe grupe ekstreme të pakontrolluara”.

Cili është skenari?

Siç i janë prezantuar pikat Albanian Post-it, arsyeja e urgjencës për dakordim  është se “në një vjetorin e luftës në Ukrainë, shtetet aleate planifikojnë që të demonstrojnë unitet, gatishmëri e fuqi në përkrahje të Ukrainës”.

Sipas asaj që ka parë AP, “ky demonstrim do të shënojë kalimin në një nivel tjetër të përkrahjes për Ukrainën”.

Ky plan ka shkaktuar nevojën që tema të trajtohet urgjentisht, prandaj “lidershipi në Kosovë duhet të mendohet mirë”.

Pyetja është vënë qartë dhe thjesht – “A do të bëhet pjesë e këtij demonstrimi të unitetit dhe fuqisë së aleatëve apo do që ta rrënojë nga brenda?”.

Liderëve u është kërkuar që përkushtimi i tyre më nuk duhet të jetë deklarativ, por “duhet ta tregojnë me vepra se vërtet janë pjesë e aleatëve”.

Siç e ka thënë qartësisht edhe Escobar, “ajo që pritet nga palët është pëlqimi për marrëveshjen për rrugën para”.

Komuniteti ndërkombëtar më nuk kërkon vetëm “një zgjidhje të shpejt”, por “një proces pajtimi”, i cili dallon nga dinamikat e dialogut aktual dhe kërkon arritje pajtimi në disa faza.

Projekti është hartuar me kujdes dhe është gjetur një rrugë e re “ku secila palë ruan mirazhin e pozicionit të vet parimor”.

“Palët do të kenë shumë përfitime, në afat të mesëm dhe të gjatë”, nëse bëhen pjesë e këtij plani të ri ndërkombëtar, por po ndodhi e kundërta është treguar “edhe një shkop shumë i ashpër”, për këdo që nuk tregohet konstruktiv në këtë fazë.

Cituar Escobar-in në konferencë për media me Kurtin, kur ishte në Prishtinë “Kosova duhet të kuptojë implikimet rajonale” që vijnë me pozicionimin e tyre.

Prandaj, “zgjedhja është e Kosovës dhe Serbisë” të vendosin se cila do jetë rruga para.

Një nga pikat më të rëndësishme të asaj që ka parë Albanian Post, në planin e fazës së parë, apo në atë që është prezantuar si “rruga e Marrëveshjes Kosovë – Serbi”, është pika tre.

Sipas kësaj pike, “pasi që njohja e ndërsjellë nuk është pjesë e kësaj faze, kjo nënkupton që, në këtë fazë, nga Serbia nuk do të kërkohet të ndryshojë kushtetutën”.

Mos ndryshimi i Kushtetutës së Serbisë, në të cilën ende Kosova është pjesë e këtij shteti, e njëjta nuk do të kërkohet as nga Kosova për formimin e Asociacionit.

“Pasi që Serbia nuk do që ta ndryshojë kushtetutën atëherë askush nuk ka të drejtë që të kërkojë nga Kosova që ta ndryshojë kushtetutën e vet, për ta akomoduar një Asociacion si nivel i ri i pushtetit”, thuhet në këtë pikë, ku edhe është paraparë se brenda çfarë formati parashihet formimi i Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe.

“Asociacioni duhet të mishërojë praktikat më të mira të mundshme të garancive për komunitetin serb”.

Nëse palët refuzojnë të pajtohen për skenarin përpara dhe refuzojnë fillimin e rrugëtimit konkret drejt fazës së fundit për pajtim final, ndërkombëtarët kanë parashikuar edhe një skenar alternativë, ku do ta merrnin procesin krejtësisht në dorën e tyre.

Në Prishtinë dhe Beograd tashëm u është thënë se duhet ta kenë të qartë që “kjo përpjekje dallon nga dinamika e deritashme e dialogut”.

Fuqitë ndërkombëtare e kanë një referencë se si do të mund ta përshpejtonin arritjen e një pajtimi, duke i larguar liderët dhe ekipet negociatore nga komfort-zona e tyre dhe mbledhur në një vend të gjitha palët, për të dalur me një marrëveshje brenda ditësh.

Siç dihet, Marrëveshja e Dejtonit (1995) ishte arritur pikërisht në këtë formë, kur përkundër se elementet bazike të një pajtimi ishin propozuar vite më parë, me idenë që të parandalohej shpërthimi i luftës, diçka e tillë nuk kishte ndodhur dhe negociatat kishin dështuar.

Plani origjinal për marrëveshje ishte ai që tashmë njihet si Plani për Paqe “Carrington–Cutileiro”, emëruar kështu për shkak të autorëve Lord Carrington dhe ambasadori portugez Jose Cutileiro. Në atë që do të njihej më vonë si “Marrëveshja e dështuar e Lisbonës”, pasi palët e kishin kundërshtuar.

Një vit më vonë, në vitin 1993, komuniteti ndërkombëtar prapë kishte provuar arritjen e një marrëveshjes përmes përfaqësuesit special të Kombeve të Bashkuara Cyrus Vance dhe përfaqësuesit të komuniteti evropian, Lord David Oëen.

Iniciativa që parashihte ndarje të Bosnjës në 10 regjione gjysmë-autonome dhe që do njihej si “Plani për Paqe Vance-Oëen”, dështoi gjithashtu, meqë përkundër se u nënshkruar nga lideri i Republikës Serbe në Bosnje, ishte rrezuar në parlament.

Përpjekje të tilla të dështuar kishin prodhuar idenë që të gjithë liderët të mblidhen në një vend, duke shkurtuar kështu levat e tyre për negocim nga distanca dhe duke rritur presionin për marrëveshje të shpejt.

Në Dayton të shtetit amerikan të Ohios ishte siguruar një zonë ku ishin akomoduar mbi 800 zyrtarë. Me 21 nëntor 1995 palët kishin dalë me një pajtim, derisa marrëveshja e plotë dhe formale ishte nënshkruar në Paris me 14 dhjetor të po të njëjtit vit.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore