Aplikacione

“Boris Johnson duhet t’u kushtojë vëmendje rregullave të sigurisë kibernetike”


Boris Johnson duhet t’u kushtojë vëmendje rregullave bazë të sigurisë kibernetike, ka thënë një ish-këshilltar i sigurisë kombëtare.

Kjo pasi është zbuluar se Emiratet e Bashkuara Arabe akuzuan për hakerim të një telefoni celular në Downing Street.

Sipas Peter Ricketts, sulmi kibernetik tregoi se software-i Pegasus “i krijuar në mënyrë komerciale” nga NSO Group ka lejuar një “gamë të gjerë aktorësh” të përfshihen në spiunazh të sofistikuar.

Kushdo që kishte akses në informacionin sekret duhej të ishte i vetëdijshëm për rrezikun, ka shtuar ai.

Po ashtu, edhe kryeministri, i cili u detyrua të ndryshonte numrin e celularit vitin e kaluar, pasi doli se ishte i disponueshëm në internet.

“Është jetike që, kushdo që ka akses në materiale të ndjeshme, duke përfshirë edhe kryeministrin, duhet t’u kushtojë vëmendje rregullave bazë të sigurisë kibernetike, duke përfshirë numrat e telefonit”, ka thënë Ricketts.

Pegasus-i është software i sofistikuar, i prodhuar nga kompania izraelite NSO Group, që mund të marrë në fshehtësi kontrollin e celularit të një personi, të marrë dhe kopjojë të dhëna prej tij dhe ta kthejë atë në një pajisje dëgjimi në distancë pa leje.

Por që kjo të jetë efektive, duhet t’i jepet një numër telefoni.

Sakaq, NSO Group i ka mohuar akuzat, duke i cilësuar si mashtrim.

“Për arsye teknologjike, kontraktuale dhe ligjore, akuzat e përshkruara janë të pamundura dhe nuk kanë lidhje me produktet e NSO-së”, ka pohuar kompania.

Nuk ka asnjë provë të fortë se pse Emiratet e Bashkuara Arabe mund të kenë dashur të synojnë Downing Street në atë datë.

Megjithatë, një ditë më parë qeveria britanike njoftoi një sërë sanksionesh ekonomike që synonin 20 shtetas sauditë të akuzuar si të përfshirë në vrasjen e gazetarit Jamal Khashoggi.

Krahas tyre, edhe individë nga Rusia, Mianmari dhe Koreja e Veriut.

Ambasadori i Emirateve të Bashkuara Arabe në Londër, Mansoor Abulhoul, i mohoi raportimet se Emiratet e Bashkuara Arabe mund të kenë përdorur spyware për të hakuar.

“Raportimet janë krejtësisht të pabaza dhe ne i hedhim poshtë. Mbretëria e Bashkuar është një nga aleatët më të afërt dhe më të dashur të Emirateve të Bashkuara Arabe dhe kurrë nuk do t’ua bënim një gjë të tillë atyre”, ka thënë ai.

Gjithashtu ka shtuar se ishte i shokuar që akuzat ishin bërë, duke vënë në dukje përmirësimin e fundit të marrëdhënieve midis dy vendeve, duke përfshirë një partneritet ekonomik në rritje.

Mohimi është një pasqyrim i rëndësisë që Emiratet e Bashkuara Arabe i kushtojnë marrëdhënies dhe dëmit të mundshëm që pretendimi për spiunazh mund të shkaktojë.

Lidhur me Pegasus-in, ai u shitet qeverive për qëllime kundër terrorizmit ose të sigurisë kombëtare.

Mirëpo, ka pasur akuza të përsëritura se është përdorur për të spiunuar politikanët e opozitës, mbrojtësit e të drejtave të njeriut dhe gazetarët nga të paktën dhjetë vende, duke përfshirë Emiratet e Bashkuara Arabe dhe Arabinë Saudite.

Pasi u zbulua episodi, në gusht 2020, NSO Group ka rishkruar software-in për të parandaluar që Pegasus-i të lejohet të synojë numrat në Mbretërinë e Bashkuar.

Marrë nga “The Guardian”, përshtatur për “Albanian Post”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore