Kosova

Bolton: Kosova dhe Serbia humbën mundësinë për të zgjidhur me diplomaci fërkimet


John Bolton

John Bolton, ish-këshilltar për Siguri Kombëtare në Shtetet e Bashkuara të Amerikës gjatë administratës së Donald Trump, duke komentuar situatën e tensionuar në Veri të Kosovës pas vendimit të Qeverisë për të instaluar kryetarët e sapozgjedhur në ndërtesat komunale, nën asistencën e Policisë së Kosovës, thekson se Kosova dhe Serbia kanë humbur mundësinë për të zgjidhur me diplomaci fërkimet.

Edhe pse arsyet e tensionimit të situatës në mes të Kosovës dhe Serbisë, sipas Bolton, mund të jenë komplekse, në këtë fazë, beson ai, nuk është momenti që të ketë rritje të acarimeve duke pasur parasysh luftën në Ukrainë.

“Mendoj se në perspektivën e Evropës si një e tërë dhe të Shteteve të Bashkuara, duke pasur parasysh luftën në Ukrainë, nuk është momenti ku tensionet tjetërkund në kontinentin evropian, në Ballkan apo kudo gjetkë, duhen lejuar të shpërthejnë. Së paku, duhet të kemi parasysh që kërcënimi i vërtetë me të cilin përballemi të gjithë, është nga qeveria në Moskë, fërkimet dhe mosmarrëveshjet që kemi, që janë të shumta, duhet të vihen nen kontroll së afërmi që të gjithë të përqendrohemi në një fund të kënaqshëm të luftës në Ukrainë”, ka thënë ai në një intervistë për Euronews Albania.

I pyetur për propozimin e kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama, për ndryshim të formatit të procesit të dialogut, nga ai i zakonshmi, në një konferencë normalizimi nën kujdesin dhe trysninë e ndërkombëtarëve pa të drejtë daljeje – njëlloj Dayton-i 2.0 – Bolton tha se sa më shumë palë të përfshihen në negociata, aq më e vështirë do të jetë arritja e marrëveshjes.

“Mendoj se sa më shumë palë të përfshihen në negociata, aq më e vështirë do të jetë arritja e marrëveshjes, por ka një traditë në Shtetet e Bashkuara, kryebashkiaku Mer Daley i Çikagos, kur u përball me një grevë të mundshme të mësuesve, mbyllte Bordin e Arsimit në një dhomë me sindikatat e mësuesve dhe thoshte: ‘Nuk do të dilni pa arritur një marrëveshje’. Zakonisht ia arrinin”.

“Por, unë mendoj se nëse ka shumë të jashtëm që po komentojnë sikur të ishte një ngjarje sportive për ecurinë e negociatave, nuk do të ketë një rezultat të dëshirueshëm, do të ishte më mirë që Kosova dhe Serbia të përfaqësoheshin në një ishull ndoshta në Egje, pa shumë spektatorë përreth”- tha ai.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore