Lajme

Bolsonaro shtrohet në spitalin e Florida-s, arrestohen 1500 mbështetës të tij pas trazirave


Ish-presidenti brazilian i ekstremit të djathtë, Jair Bolsonaro, u shtrua në një spital në Florida të Shteteve të Bashkuara të hënën me dhimbje stomaku.

Nga ana tjetër, 1 mijë 500 mbështetës të tij u arrestuan në Brasilia pasi sulmuan ndërtesat kryesore në kryeqytet gjatë fundjavës.

Presidenti Luiz Inacio Lula da Silva, u zotua më herët që do të sjellë përgjegjësit para drejtësisë.

Ai akuzoi rebelët për përpjekje për të përmbysur demokracinë dhe vuri në dyshim pse ushtria nuk i kishte dekurajuar thirrjet për një grusht shteti ushtarak jashtë kazermave të tyre.

Të dielën, turmat e zemëruara pushtuan Kongresin, Gjykatën e Lartë dhe zyrat presidenciale, duke thyer dritare, mobilje dhe vepra arti në sulmin më të keq ndaj institucioneve shtetërore që nga kthimi i Brazilit në demokraci në vitet 1980.

Bolsonaro, i cili fluturoi në Shtetet e Bashkuara disa ditë para përfundimit të mandatit të tij, shkoi në një spital në Orlando të hënën duke u ankuar për dhimbje në zorrë të lidhura me një goditje me thikë që pësoi gjatë fushatës zgjedhore 2018.

Mjeku i tij tha se ai ka një bllokim të zorrëve që nuk ishte serioz dhe me gjasë nuk do të kishte nevojë për operacion.

Në një intervistë me CNN Brasil, Bolsonaro tha se kishte planifikuar të qëndronte në Shtetet e Bashkuara deri në fund të janarit, por tani planifikon të kthehet në Brazil më shpejt për të parë mjekët e tij.

“Unë synoj të afroj kthimin tim sepse në Brazil mjekët tashmë e dinë për problemin tim të pengimit të zorrëve për shkak të plagës me thikë”, tha Bolsonaro, sipas një raportimi në faqen e internetit të CNN Brasil.

Bolsonaro përballet me disa hetime para Gjykatës së Lartë në Brazil dhe e ardhmja e tij në Shtetet e Bashkuara, ku ai udhëtoi me një vizë të lëshuar për krerët e shteteve, diplomatët dhe zyrtarët e tjerë të qeverisë, është në pikëpyetje.

Duke rivendosur rendin në kryeqytetin brazilian, ushtarët brazilianë të mbështetur nga policia të hënën çmontuan një kamp dy muajsh përballë selisë së ushtrisë, ku mbështetësit e Bolsonaros kanë protestuar që nga humbja e tij në zgjedhje.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore