Shqipëria

Blushi: Keqardhje që Basha e përfshin Presidentin në krizat që i shpik vetë


“Keqardhje që Lulzim Basha vazhdon të përfshijë Presidentin e Republikës, Ilir Meta, në krizat që ai vetë i shpik pa u lodhur”.

Ka qenë kjo deklarata e zëdhënësit së Presidentit, Tedi Blushi, për sa u përket akuzave që kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, ka hedhur ndaj Metës-Berishës-Ramës.

Nga foltorja e Kuvendit të Shqipërisë më 28 tetor, Basha i cilësoi këta të fundit se janë si “trekëndëshi i Bermundave”.

Blushi, duke iu referuar fjalës së Bashës nëpërmjet një postimi në median sociale Facebook, i “kundërvihet” kryedemokratit, duke i sjellë në vëmendje: “Bojkotin e reformës administrative-territoriale”, “Bojkotin e reformës në drejtësi”, “Djegien e mandateve të deputetëve” dhe “Zerimin e opozitës në pushtetin vendor”.

Këto të fundit, Blushi i cilësoi si “katërkëndësh”, që sollën kapjen totale të shtetit.

“Kur Basha të takohet me presidentin Meta do ta pranojë përfundimisht që 7 herë 7 bëjnë 49, as 42 apo 99”, vijon Blushi, duke i bërë kështu thirrje për t’u takuar me Metën, në zyrën e këtij të fundit.

Lulzim Basha flet në Parlament

“Presidenti i Republikës vazhdon të ketë vullnetin ta mirëpresë Bashën, për çdo sqarim apo paqartësi, në zyrën e tij në Institucionin e Presidentit, ku gjithmonë është mirëpritur, sa herë ka kërkuar takime dhe ndihmë për të dalë nga bojkotet dhe krizat, që i shpikte vetë”.

Në përfundim, Blushi thekson faktin se, “nuk besoj se ka demokrat dhe shqiptar, që beson se Presidenti Meta u ikën përgjegjësive dhe ballafaqimeve për çështje të rëndësishme të demokracisë dhe shtetit të së drejtës”.

Meta, në një intervistë për mediat shqiptare, reagoi pas deklaratave të Bashës se ai është pjesë e “një trekëndëshi të së keqes apo Bermudës”.

Presidenti i Republikës, Ilir Meta

“Nuk është problemi i trekëndëshit që thotë Basha. Ky është problemi i tij”, deklaroi fillimisht Meta.

Sipas presidentit, bojkoti i reformës administrative-territoriale, bojkoti i Reformës në Drejtësi, djegia e mandateve në Parlament dhe zerimi i opozitës nga pushteti lokal, “janë katër përgjegjësi madhore që Lulzim Basha nuk u ikën dot”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore