Shqipëria

Blushi: Çdo vendim i Kuvendit është nul


Zëdhënësi për shtyp i Presidentit të Republikës së Shqipërisë, Tedi Blushi, ka dalë në një deklaratë, të premten e 7 majit, pas vendimi të Kuvendit për shkarkimin e Ilir Metës si president.

“Çdo vendim i Kuvendit është nul”.

Blushi në emër të Presidentit shprehu keqaardhjen që Kuvendi është kthyer në njëpartiak.

“Prandaj Institucioni i Presidentit të Republikës nuk do të njohë asnjë vendim apo veprimtari antikushtetuese dhe antiligjore të Kuvendit njëpartiak në detyrë”.

Sipas Blushit, vendimi bie ndesh me parimet dhe vlerat e shoqërisë demokratike.

“Askush nuk mund të fshihet dot, as pas etikës dhe as pas retorikës, sepse kjo është një çështje Sovraniteti”.

Blushi theksoi faktin se Meta do të ushtrojë me përgjegjësi të plotë të gjitha funksionet e tij kushtetuese deri më 24 korrik 2022.

Nga ana tjetër Kuvendi i Shqipërisë ka votuar pro ngritjes së Komisionit Hetimor për Presidentin e Republikës, Ilir Meta.

Me 97 vota pro, gjashtë kundër dhe një abstenim, komisioni do të fillojë punën për të hetuar nëse presidenti ka kryer shkelje kushtetuese, gjatë fushatës zgjedhore të 25 prillit.

Pjesë e këtij komisioni, do të jenë nëntë anëtarë. Kryetari, do të jetë deputeti socialist, Alket Hyseni. Zëvendëskryetar, do të jetë përfaqësuesi i opozitës parlamentare, Myslym Murrizi. Sekretare e komisionit ndërkaq, do të jetë socialistja Klotilda Bushka.

Anëtarët e komisionit, do të jenë: Vasilika Hysi, Elena Xhina, Spartak Braho, Halil Jakimi, Nikolin Staka dhe Arlind Çarçani.

Zëvendësues, do të jenë anëtarët Ermonela Felaj, Xhemal Qefaliaj dhe Eugen Bojaxhiu.

Pse po kërkohet shkarkimi i Presidentit, Ilir Meta?

Akuzat e mazhorancës, janë mbi përfshirjen e Metës në fushatën zgjedhore dhe nxitjen e akteve të dhunës në fushatë.

Meta i ka quajtur këto akuza “shashka”, duke kërkuar përqendrim në mbylljen e procesit zgjedhor.

Përveç politikës shqiptare, replika në distancë me Presidentin Meta, ka pasur edhe vetë ambasadorja e SHBA-së, Yuri Kim.

Kjo është hera e dytë që një nismë e tillë shkon në Parlament, brenda dy vjetëve.

Të parën, mazhoranca e ngriti pas dekretit të presidentit mbi anulimin e zgjedhjeve të 30 qershorit 2019.

Ajo u kthye në një rezolutë të votuar me 100 vota pro në seancën e 13 qershorit të vitit 2019.

Tashmë, nëse komisioni hetimor e nxjerr fajtor Metën, çështja shkon në Gjykatën Kushtetuese. Kjo e fundit, vendos nëse presidenti duhet të shkarkohet, apo duhet të mbesë në detyrë

 

 

 

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore