Kosova

Bllokimi i “Rrugës A”, Abdixhiku: Punë s’bëjnë vet por punën e tjetrit se durojnë dot


Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku.

“Një çmenduri që të lë pa fjalë”.

Kështu e ka filluar reagimin e tij Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lumir Abdixhiku, pas vendimit të Gjykatës Komerciale, përkatësisht gjyqtares Vlora Pacolli, që është motra e deputetes së Lëvizjes Vetëvendosje, Fitore Pacolli, për t’i ndalë punimet në “Rrugën A”.

Përmes një postimi në Facebook, Abdixhiku tha se “Rruga A” po ecte “në ritëm të mbarë”, dhe se bëhej “punë e palodhshme, në kohë rekord e në afat”, duke u krijuar një lagje e re për Prishtinën, “një komunitet i ri në bërje”.

“Por ja që në Kosovën e populistëve puna krijon kundërshtarë”.

“Sot, një gjykatëse vendosi ta ndalojë atë. Ta ndalojë punën e ndërtimit të rrugës ‘Jim Xhema’ në gjysmë të saj. Gjykatësja, del të jetë motra e deputetes në pushtet”, shtoi.

Tutje, kreu i LDK-së, partisë që udhëheqë me kryeqytetin, pohoi se me këtë vendim dhjetëra mijëra banorë kanë mbetur “pa kolektor e në kundërmim, një kryeqytet pa projektin më të madh kapital”.

Këta, theksoi Abdixhiku, duke iu referuar partisë në pushtet, Lëvizjes Vetëvendosje, “janë përplot mllef e urrejtje; dhe fatkeqësisht urrejnë qytetarët e vet”.

“Punë s’bëjnë vet por punën e tjetrit se durojnë dot”.

“Prishtina dhe qytetarët e kryeqytetit, le ta shohin këtë çmenduri”, shtoi. “Fillimisht me bllokim buxheti deri në gusht; tani me bllokim projekti me kapje e familjarë”.

Mirëpo, Abdixhiku thotë se “nuk do t’i lejojmë”, duke u shprehur i bindur se “‘Rruga e Re’ dhe ‘Rruga A’ nuk ndalen”.

“Prishtina dhe Kosova do të bëhen!”, përfundoi ai.

Motra e Fitore Pacollit ndalon punimet në “Rrugën A” në Prishtinë, vendos masë të përkohshme

Ndryshe nga zyrtarët e Lidhjes Demokratike të Kosovës, këtë vendim e kanë mirëpritur partia më e dytë më e madhe në Prishtinë, Lëvizja Vetëvendosje.

Nga kjo parti, thanë se “vendimi i sotshëm i Gjykatës Komerciale është pasojë e qasjes së vazhdueshme anti-institucionale dhe anti-ligjore të ekzekutivit të Komunës së Prishtinës”.

Reagimin e kryetarit të Prishtinës Rama, i cili akuzoi se ky vendim është marrë nga me ndikim politik, pasi që gjyqtarja është motra e deputetes Pacolli, nga qendra e LVV-së në Prishtinë thanë se është për “çdo kritikë dhe për t’u dënuar reagimi i tij në lidhje me këtë çështje”.

“Etiketimi i gjyqtares së rastit dhe deklarimi se vendimi është politik e ka për qëllim bllokimin e projekteve në Prishtinë, është tendencë e Përparim Ramës për ta mbuluar dështimin e vet të pashmangshëm dhe tashmë evident”, pretenduan ata.

“Shpresojmë në trajtim të shpejt dhe të drejtë të çështjes meritore të rastit nga ana e Gjykatës Komerciale, në mënyrë që rruga A, si një projekt jetik i banorëve të asaj zone dhe i rëndësisë së veçantë për Kryeqytetin, të finalizohet dhe të jetë në shërbim të qytetarëve”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore