Shqipëria

Bllako është vetëdorëzuar, thotë Policia


Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit, informon publikun se përkundër disa lajmeve të rreme mbi arratisjen e shtetasit Alqi Bllako, ky shtetas ndodhet në Drejtorinë Vendore të Policisë Tiranë që prej mbrëmjes së djeshme.

Ky ishte njoftimi i autoriteteve shqiptare në orët e para të 1 prillit.

Ish-deputeti socialist, sipas Policisë, është vetëdorëzuar konform detyrimit ligjor.

Kjo, për zbatimin e masës së sigurisë “Arrest në burg”, lëshuar dje nga Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar (GJKKO).

Reagimi

Deputetja e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku, do të reagonte fill pas zërave se Bllako nuk ishte arrestuar nga Policia.

Përmes një statusi në median sociale Facebook, Tabaku shkruante se “cilido që ka penguar drejtësinë të arrestojë Alqi Bllakon duhet të përgjigjet para ligjit”.

Postimin e saj ajo e ka shoqëruar me nenin përkatës që parashikon rastet kur ndihmohet të largohet një person për të cilin ka një urdhër-arrest.

“Kush e pengoi arrestimin e Alqi Bllakos nga momenti i njoftimit publik të SPAK, datë 29.03.2022, ora 11:30 deri në momentin e përgjigjes së Kuvendit, datë 30.03.2022, ora 22:30, duke refuzuar mbledhjen e menjëhershme të Këshillit për Mandatet, për rrjedhojë dhënien e autorizimit për SPAK”, theksonte ish-nënkryetarja e PD-së.

Nga ana tjetër, Albanian Post, kontaktoi me Policinë e Tiranës, por nuk mori një konfirmim nëse Bllako ishte arrestuar.

“Nuk kemi një informacion zyrtar mbi çështjen”, ishte përgjigjja e Policisë.

Ndërkohë, vetë Bllako deklaroi para dorëzimit të mandatit se do të përballej me drejtësinë.

Masa

Bllako akuzohet për veprën penale “shpërdorim detyre” gjatë kohës që mbante postin e këshilltarit në Ministrinë e Mjedisit.

SPAK-u e ka akuzuar Alqi Bllakon se në bashkëpunim me Lefter Kokën dhe zyrtarë vendorë në Fier kanë falsifikuar dokumentet dhe kanë ndryshuar destinacionin e pronës ku do të ndërtohej inceneratori.

Sipas SPAK-ut ish-deputeti Bllako ka favorizuar kompaninë fituese të inceneratorit të Fierit dhe ka marrë si ryshfet shumën prej 14.9 milionë lekësh në formën e pagesave që janë kaluar për llogari të babait të tij, Edmond Bllako.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore