Lajme

Blerje e fuqishme nga ByteDance-i


ByteDance ka njoftuar se njësia e saj e lojërave video, Nuverse, do të blejë studion e lojërave me bazë në Shanghai, Monnton Technology, në kuadër të zgjerimit të mëtejshëm të biznesit të saj të lojërave.

Burimet për agjencinë e lajmeve, Reuters, zbulojnë se në bazë të marrëveshjes, studioja e lojërave është vlerësuar me rreth katër miliardë dollarë.

Blerja e studios së lojërave vjen pasi ByteDance-i, i cili është zotëruesi i platformës TikTok dhe platformës së ngjashme kineze të videove të shkurtra të quajtur Douyin, ka ndërmarrë hyrje të konsiderueshme në biznesin e lojërave video duke konkurruar në mënyrë direkte me Tencent-in.

“Përmes bashkëpunimit ndërekipor dhe duke marrë mësime e njohuri nga rritja e shpejtë, Monnton Technology, siguron mbështetjen strategjike të nevojshme për të përshpejtuar ofertat globale të lojërave të Nuverse-it”, ka thënë kompania në një deklaratë të saj.

Mirëpo, ByteDance nuk ka pranuar të komentojë lidhur me madhësinë e blerjes.

Shefi ekzekutiv i Moonton-it, Yuan Jing, në një njoftim të brendshëm ka thënë se pas blerjes kompania do të funksiononte e pavarur nga ByteDance-i.

Për sa i përket Monnton Technology, ajo është themeluar nga një ish punonjës i Tencent-it, platformë tepër e famshme në Azinë Juglindore për lojën e saj me shumë lojtarë në arenën e betejës në internet, Mobile Legends.

Kjo blerje në terma të tjerë tregon se ByteDance-i, tanimë zotëron nën emrin e saj një lojë të Mobile Legends, gjë që e vë kompaninë në nivele konkurruese me Tencent-in.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore