Lajme

Bjellorusia paralajmëron Serbinë, kërkon “rishikim serioz” të bashkëpunimit midis Minskut dhe Beogradit


Aleksandër Lukashenko dhe Aleksandër Vuçiç

Presidenti i Bjellorusisë, Aleksandër Lukashenko, derisa ka komentuar qëndrimin e Serbisë në arenën ndërkombëtare, ka konfirmuar pakënaqësitë për lëvizjet e Serbisë, veçanërisht sa i përket politikës së jashtme, ndërsa ka bërë thirrje për rishikim serioz të bashkëpunimit midis Bjellorusisë dhe Serbisë dhe punës së misionit diplomatik bjellorus në Beograd.

“Ne duhet të mendojmë për politikën që Serbia udhëheq dhe planifikon të udhëheqë në raport me Bjellorusinë. Nëse duan të mbështesin evropianët dhe sanksionet amerikane kundër Bjellorusisë, atëherë kjo është gjëja e tyre. Megjithatë, ata duhet të vendosin. Nëse e kanë harruar mirësinë tonë ndaj tyre, ata mund të mbështesin sanksionet”, ka thënë Lukashenko.

Shumica e vendeve të Ballkanit Perëndimor – Kosova, Mali i Zi, Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut – janë bashkuar me sanksionet e Shteteve të Bashkuara të Amerikës (SHBA) dhe Bashkimit Evropian (BE) kundër Rusisë dhe Bjellorusisë, ndërsa Serbia dhe Bosnje-Hercegovina janë shtetet e vetme që s’e kanë harmonizuar politikën e jashtme.

Presioni i BE-së dhe SHBA-ve ndaj Serbisë është duke shënuar rritje kohën e fundit, veçanërisht për shkak të refuzimit të shtetit serb për t’i mbështetur sanksionet ndaj Rusisë për agresionin e paprovkuar kundër Ukrainës. Serbia, deri tash, ka injoruar thirrjet e bashkësisë së organizuar ndërkombëtare, duke shkaktuar zemërim në komunitetin trans-atlantik.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore