Lajme

Bislimi takon homologun maqedonas: E ardhmja e Kosovës dhe Maqedonisë së Veriut është në BE


Besnik Bislimi dhe Bojan Marichikj

Zëvendëskryeministri për Integrime Evropiane dhe Dialog, Besnik Bislimi, ka pritur në takim zëvendëskryeministrin për Çështje Evropiane të Maqedonisë së Veriut, Bojan Marichikj.

“E ardhmja e Republikës së Kosovës dhe Maqedonisë së Veriut, përket në Bashkimin Evropian. Vendet tona po bëjnë hapa dhe përpjekje për të avancuar rrugëtimin e tyre drejt BE-së”, thuhet në njoftimin e zyrës së Kryeministrit.

Ndërkaq, aty thuhet se Bislimi e Marichikj kanë diskutuar mbi forcimin e bashkëpunimit përmes dhe mbledhjeve ndërqeveritare që mund të mbahen në të ardhmen.

“Në takim u shprehën dhe përgëzimet për Kosovën në përmbylljen e procesit të liberalizimit të vizave, si hap i rëndësishëm në rrugëtimin evropian të vendit”.

Po ashtu, rritja e efikasitetit sa i përket bashkëpunimit ndërkufitar ishte dhe një prej çështjeve me theks të veçantë të trajtuara gjatë takimit të Bislimit me homologun e tij maqedonas.

Ndryshe, në shtator të vitit 2021 qeveria e Kosovës dhe e Maqedonisë së Veriut kishin mbajtur mbledhjen e përbashkët, ku kishin nënshkruar 11 marrëveshje.

Ndër 11 marrëveshjet e nënshkruara, ishte edhe marrëveshja e studimit të fizibilitetit për rrugën Prizren-Tetovë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore