Lajme

Bislimi në Francë: Serbia ka dëshmuar se është palë bllokuese në procesin e dialogut


Zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi dhe sekretarja e Shtetit për Çështje Evropiane të Francës, Laurence Boone.

Zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi të enjten është takuar me sekretaren e Shtetit për Çështje Evropiane të Francës, Laurence Boone me të cilën ka diskutuar për dialogun Kosovë-Serbi dhe bllokimin që po bën Serbia në këtë proces.

Përmes një komunikate për media është thënë se Bislimi ka theksuar edhe shkeljet që janë bërë gjatë këtij procesi.

“Sa i përket procesit të dialogut, zëvendëskryeministri Bislimi tha se Kosova në vazhdimësi ka qenë palë konstruktive. Ndërkohë, përmes shkeljeve të shumta të Marrëveshjes Bazike, Serbia ka dëshmuar se është palë bllokuese në këtë proces”.

“Në mesin e këtyre shkeljeve, ka votuar kundër anëtarësimit të Kosovës në Këshillin e Evropës, duke cenuar nenin 4 të Marrëveshjes Bazike. Po ashtu, Serbia refuzoi dhe nënshkrimin e marrëveshjes dhe aneksit të zbatimit”.

Zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi dhe sekretarja e Shtetit për Çështje Evropiane të Francës, Laurence Boone.

Ndërsa, për sulmin terrorist të 24 shtatorit, ai u shpreh se ishte një akt agresioni i një shteti kandidat për anëtarësim në BE, kundër një kandidati ende potencial për anëtarësim.

Po ashtu në këtë takim është thënë se Bislimi ka prezantuar tre shtyllat e mandatit të tij, “integrimin evropian, zhvillimin dhe dialogun”.

“Në lidhje me integrimin evropian, ai theksoi se Republika e Kosovës mirëpret planin e ri për zgjerim dhe se mbetet e përkushtuar maksimalisht për hapa të rëndësishme përpara në këtë proces. Procesi i integrimit evropian duhet të jetë i bazuar në meritokraci e shpërndarje të barabartë për të gjitha shtetet”.

“Në zhvillim ekonomik, vendi ynë ka dëshmuar se përtej barrierave me të cilat është përballur, ka arritur rritje ekonomike e të përformojë pozitivisht në rankime e matje ndërkombëtare”.

Kosova është tashmë në vitin e 7-të të zbatimit të Marrëveshjes së Stabilizim Asocimit.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore