Kosova

Bislimi: Mungesa e takimit trepalësh zbeh “pak” suksesin e negociatave


I dërguari special i BE-së për negociatat Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, Kryenegociatori i Kosovës, Besnik Bislimi dhe ai serb, Petar Petkoviç

Zëvendëskryeministër i parë i Republikës së Kosovës i cili është i ngarkuar edhe me bisedimet Kosovë-Serbi, Besnik Bislimi ka folur për bisedimet e fundit ndërmjet Kosovës e Serbisë të zhvilluara në Bruksel, duke thënë se mungesa e takimit tre palësh në Bruksel ka zbehur “pak” suksesin e negociatave.

“Mungesa e takimeve trepalëshe e zbeh pak suksesin e negociatave, sepse aty është shumë më lehtë të konkretizohet diçka për hapat e mëtejmë. Megjithatë në të gjitha temat mendoj që ka progres”, ka thënë kryenegociatori Bislimi.

Ai ka thënë se kanë zhvilluar një sërë takimesh mes datave 16 e 18 nëntor, ku janë diskutuar temat mbi energjinë, të pagjeturit, personat e zhvendosur me dhunë dhe marrëveshjen për përfaqësimin regjional të Evropës.

Bislimi ka thënë se pala kosovare ka kërkuar edhe qartësime për problemet që po i bën Serbia në lëvizjen e lirë të qytetarëve të vendit.

“Rasti i ekipit të boksit që nuk është lejuar të shkojnë në gara në Beograd, kemi diskutuar për barrikadat që po i vendos Serbia për transferimin e mjeteve buxhetore për komunat me shumicë shqiptare në Serbi, siç është rasti me shumën prej 100 mijë eurove që ka ndarë Qeveria e Kosovës për mbulimin e dëmeve nga vërshimet në Preshevë”, ka thënë ai për Telegraf.

Besnik Bislimi

Nuk ka qenë e anashkaluar as tema e targave.

“Kemi diskutuar po ashtu për ecjen përpara për çështjen e targave, kryesisht çështje të cilat janë imponuar në zhvillimet aktuale”.

Tutje, Bislimi për Telegraf ka thënë se sa i përket temës së energjisë janë  në rrugë të mirë që më në fund edhe konsumin e energjisë në Veri të Kosovës do ta vendosin brenda sistemit energjetik të vendit.

“Jemi dakorduar me BE-në që t’ju dorëzojmë atyre një plan konkret me hapat që duhet të ndërmarrim në tre muajt e ardhshëm, kemi bërë këtë që ditën e nesërme”.

“Kemi dorëzuar z.Lajçak një propozim të masave konkrete që nënkuptojmë edhe veprimet që duhet të ndërmarrin nga vet Bashkimi Evropian për akomodimin e pikës 13 që nënkupton obligimet e BE-së dhe mendoj që ky propozim është pritur jashtëzakonisht mirë nga zyra e tij”, tha Bislimi.

Kurse për temën e të pagjeturve ai ka thënë se delagacioni i Kosovës ka pasur kërkesa konkrete dhe ka zhvilluar disa takime me ekipin e z.Lajçak.

Besnik Bislimi – Zëvendeskryeministër i Kosovës dhe Mirosllav Lajçak – Emisar i BE-së për dialogun Kosovë – Serbi.

Ai deklaroi se kanë pasur kërkesa edhe sa i përket përdorimit të fusnotës.

Ndërkaq temë e diskutimit sipas Bislimit ku ka pasur progres është edhe çështja e transferimit të mjeteve financiare për Luginën e Preshevës të ndara nga Qeveria e Kosovës, madje ai ka thënë se tashmë vetëm s është bërë transferimin e mjeteve.

“Tek pjesa e transfereve për Komunën e Preshevës, kemi pasur një bisedë me zonjën Ardita Sinani dhe  z.Lajçak ku ajo na ka informuar për pengesat që po i dalin, ndërkaq Lajçak ka angazhuar këshilltarin e tij në Beograd që me urgjencë të gjej zgjidhjen për këtë punë. Me sa kam kuptuar unë, dje Thesari ynë e ka bërë transferimin e mjeteve dhe të shohin se a do të mbërrijnë ato deri në destinacion”.

“Po ashtu kemi marrë pëlqimin që këshilltari i tij z.Panduri të angazhohet për hapjen e një llogarie permanente ku Kosova do të mund të transferonte mjete sa herë ka nevojë për të ndihmuar Luginën e Preshevës”, ka thënë ai.

 

Presheva

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore