Kosova

Bislimi e cilëson “propagandë serbe” shqetësimin e Escobarit për “katastrofë humanitare” rreth dinarit


Besnik Bislimi

Zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi, në një intervistë për televizionin “A” të enjten, konsideroi se termi “urgjencë humanitare” që e përdori Emisari Special i Shteteve të Bashkuara të Amerikës (SHBA) për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, rreth ndalimit të dinarit në territorin e Kosovës, nuk mund të jetë tjetërçka përpos pjesë e propagandës serbe.

“Ideja që mosvazhdimi i mbështetjes financiare për serbët mund të shkaktojë katastrofë humanitare është krijuar artificialisht nga fuqia e propagandës serbe. Edhe nëqoftëse Serbia do të pushonte për një moment së dërguari mjetet drejt tyre, ata prapë do të kishin mjete që pamundëson kthimin në një problem humanitar”, vlerësoi zëvendëskryeministri kosovar.

Escobari gjatë vizitës së fundit në Prishtinë e cilësoi “urgjencë humanitare” zgjidhjen rreth vendimit të Bankës Qendrore të Kosovës (BQK), nëpërmjet së cilës përcaktohet euro si e vetmja valutë ligjore që lejohet për transaksione me para të gatshme në Kosovë, duke ndaluar përdorimin e dinarit serb brenda territorit kosovar dhe si e tillë, duhet të adresohet menjëherë.

Zëvendëskryeministri i Kosovës për Integrim, Zhvillim dhe Dialogu akuzoi gjithashtu edhe mediat kosovare se dezinformuan opinionin për takimin e së martës (19 mars) mbi çështjen e dinarit në kuadër të dialogut për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë-Serbi, duke shtuar se të njëjtat interpretuan qëndrimin Petar Petkoviçit, kryenegociatorit të palës serbe.

“Mediat në Kosovë e kanë pasur prioritet t’i adresojnë brengat e Petkoviçit. Dhe, ka pasur një tendencë që edhe interpretimi i takimit të bëhet sipas këndvështrimit të palas serbe, jo të palës kosovare. Në Kosovë u diskuata për takimin mbi dinarin. Nuk ka pasur kurrfarë agjende për dinarin. Kosova nuk merr pjesë në diskutime për dinarin”, deklaroi zëvendëskryeministri.

Nën ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian (BE), të martën e 19 marsit në Bruksel të Belgjikës, u zhvillua një takim trepalësh midis kryenegociatorëve të Kosovës e Serbisë dhe Emisarit Special të BE-së për dialogun Prishtinë-Beograd, Mirosllav Lajçak, ku një ndër çështjet kryesore mbi tryezë ishte pikërisht ndalimi i dinarit serb në Kosovë dhe rruga drejt zgjidhjes.

Megjithëse delegacionet e Kosovës dhe Serbisë do të takohen sërish të hënën (25 mars) në kryeqendrën evropiane në kuadër të procesit të dialogut për çështjen e dinarit serb, zëvendëskryeministri kosovar vazhdon ta mohojë se ndalimi i valutës shtetërore të Serbisë është temë që meriton vëmendjen e palëve në procesin e dialogut për normalizimin e marrëdhënive.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore