Lajme

Biserko: Inaugurimi në Podgoricë e konfirmon se Milatoviç është pro-serb


Sonja Biserko

Kryetarja e Komitetit të Helsinkit për të Drejtat e Njeriut, Sonja Biserko, në një intervistë për të përditshmen malazeze “Pobjeda”, tha se inaugurimi i presidentit të sapozgjedhur të Malit të Zi, Jakov Milatoviç, në Podgoricë e jo në Cetinje, konfirmon tezën se ai është pro-serb.

Për herë të parë në historinë moderne të shtetit malazez, inaugurimi i presidentit malazez nuk do të bëhet në Cetinje, qyteti që e ka statusin e kryeqytetit, por në Villa “Goricë”, që është e vendosur në shpatet jugore të kodrës së Goricës në Podgoricë.

“Cetinja është rrënja simbolike e Malit të Zi, sepse të gjitha fitoret dhe disfatat filluan në Cetinjë, kryeqyteti historik dhe simbol i lirisë dhe shtetësisë së saj shekullore dhe si e tillë ka një rëndësi të madhe emocionale për qytetarët e Malit të Zi”, tha Biserko.

Vendimi për të mbajtur inaugurimin në Podgoricë thyen këtë traditë të rëndësishme dhe krijon një ndjenjë indinjate te shumë malazezë për shkak se ky simbol i lirisë dhe shtetësisë malazeze është margjinalizuar. Për shumë njerëz, kjo konfirmon tezën se presidenti është në thelb pro-serb”, shtoi ajo.

Milatoviç, pas inaugurimit në Parlamentin e Malit të Zi të planifikuar për 20 maj të këtij viti, do të organizojë “koktej inaugurues” me të gjithë presidentët e rajonit të Ballkanit Perëndimor dhe përfaqësues të trupës diplomatike, shoqërore, ekonomike dhe kulturore.

Në këtë ceremoni është ftuar edhe presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, përkundër pretendimeve të disa mediave malazeze që e pretendonin të kundërtën, prandaj sipas Biserkos, kjo tregon se ka rënë përfundimisht ideja për tërheqjen e njohjes së Kosovës.

“Këtë e mbështet edhe fakti se në inaugurimin e presidentit Milatoviç ishte ftuar edhe Vjosa Osmani, që do të thotë se ideja për tërheqjen e njohjes së Kosovës është penguar ose refuzuar përfundimisht. Kjo sigurisht është ende dëshira e Beogradit dhe Kishës Ortodokse Serbe, por ajo po bëhet më pak realiste”.

Ndonëse ende nuk janë konfirmuar pjesëmarrësit dhe të ftuarit në këtë ceremoni përuruese, mediat malazeze kanë njoftuar se ftesa iu është dërguar presidentëve të rajonit: presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiç, presidentit të Maqedonisë Veriore, Stevo Pendarovksi dhe atij të Kroacisë, Zoran Milanoviç.

Të ftuar për të marrë pjesë në ceremoninë inauguruese të presidentit të ri të Malit të Zi, sipas mediave malazeze, janë edhe anëtarët e Presidencës Trepalëshe të Bosnje dhe Hercegovinës: Zheljka CvijanoviçDenis Beçiroviç dhe Zheljko Komshiç.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore