Lajme

Bilçik: Rruga e Serbisë drejt BE-së është jashtëzakonisht e rëndësishme


Vladimir Bilçik

Parlamenti Evropian (PE) do të dërgojë një delegacion për të vëzhguar procesin e zgjedhjeve parlamentare dhe lokale të 17 dhjetorit në Serbi, ndërsa është bërë e ditur se në mesin e vëzhguesve do të jetë edhe Raportuesi i PE-së për Serbinë, Vladimir Bilçik, i cili, në një prononcim për “Euronews Serbia” të mërkurën, ka thënë se mbështesin rrugën evropiane të Serbisë.

“Me prezencën tonë ne vetëm duam të dërgojmë një mesazh të qartë: rruga evropiane e Serbisë është jashtëzakonisht e rëndësishme për ne, kjo është arsyeja pse do të jemi të pranishëm në terren, për të treguar përkushtimin tonë”, ka thënë eurodeputeti sllovak, ndonëse perspektiva e domokracisë dhe rruga evropiane e Serbisë është ende e pasigurtë, nuk është e qartë.

Ky delegacion, përveç Bilçikut, do të përbëhet edhe nga pesë ligjvënës të tjerë evropianë: eurodeputetja gjermane dhe Raportuesja e PE-së për Kosovën, Viola von Cramon, eurodeputeti slloven dhe kryesuesi i delegacionit, Klemen Groshelj, eurodeputeti spanjoll, Javier Nart, eurodeputeti austriak, Andreas Schider dhe Malin Bjork, eurodeputete suedeze.

Ata do të qëndrojnë në Serbi nga data 14 deri 19 dhjetor. Delegacioni i PE-së pritet të takohet me aktorët kryesorë të skenës politike serbe. Janë planifikuar takime me ambasadorin e Bashkimit Evropian (BE) në Serbi, përfaqësues të misioneve të Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE) dhe Këshillit të Evropës (KiE), por edhe me organizata të shoqërisë civile.

“Por, natyrisht, shpresojmë të bisedojmë me të gjithë pushtetarët relevantë politikë, përfaqësuesit kryesorë të partive kryesore politike pjesëmarrëse, përfaqësuesit e shtetit në nivelin më të lartë politik, vëzhguesit, organizatat përkatëse joqeveritare, përfaqësuesit e shoqërisë civile”, ka thënë Bilçik.

Vendimi për vëzhgimin e procesit të zgjedhjeve parlamentare dhe lokale të 17 dhjetorit është marrë pas një letre të kryetarit të Kuvendit të Serbisë, Vladimir Orliç, i cili ka kërkuar nga PE-ja emërimin e një misioni vëzhgues ditën e zgjedhjeve. Pra, përveç OSBE-së dhe KiE-së, zgjedhjet serbe do të monitorohen edhe gjashtë ligjvënës evropianë.

Zgjedhjet në Serbi do të monitorohen nga 30 vëzhgues afatgjatë dhe 250 vëzhgues afatshkurër, ka njoftuar javën e kaluar kreu i Zyrës së OSBE-së për të Drejtat e Njeriut (ODIHR), Albert Johnson, përfshirë procesin e votimit, qendrat e votimit dhe numërimin e votave në zgjedhjet e 17 dhjetorit.

“Kontributi dhe interesi ynë do të jetë që të sigurojmë që qytetarët e Serbisë, votuesit në të gjithë Serbinë, kanë zgjedhje paqësore, që të mund të votojnë lirshëm në kushte të drejta. Ky do të jetë qëllimi ynë kryesor që duam ta arrijmë me prezencën tonë në Serbi”, ka thënë eurodeputeti sllovak.

Shpallja dhe organizimi i zgjedhjeve në Serbi vjen në një periudhë kur janë intensifikuar përpjekjet e bashkësisë së organizuar ndërkombëtare për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, në dritën e tensioneve pas sulmit terrorist të 24 shtatorit në fshatin Banjë të Zveçanit – komunë e banuar me shumicë serbe – në pjesën veriore të Kosovës.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore