Lajme

Bilçik i pakënaqur: Për zgjedhjet në veri s’duhet fajësuar veç Serbia, por edhe Kosova


Vladimir Bilçik

Raportuesi i Parlamentin Evropian për Serbinë, Vladimir Bilçik, në një konferencë për media të mërkurën, ka shprehur pakënaqësinë që në raportin e kaluar në Parlamentin Evropian ka kaluar një amandament ku  është fajësuar Beogradi për çështjen rreth zgjedhjeve në katër komunat veriore të Kosovës që u mbajtën më 23 prill.

Në raportin për Serbinë është përfshirë edhe një amendament i propozuar nga Raportuesja për Kosovën, Viola von Cramon, përmes së cilit shprehet keqardhje për bojkotin e zgjedhjeve lokale, të mbajtura në veri të Kosovës më 23 prill. Aty thuhet se ky bojkot ishte instrumentalizuar nga Beogradi.

“Unë e respektoj punën e koleges [Viola] von Cramon, por si raportues për Serbinë, nuk jam i lumtur me një nga amandamentet e kaluara sot, që vendos fajin e vetëm te Beogradi për punën e zgjedhjeve në veri të Kosovës. Është mesazh që nuk ndihmon”.

“Në një situatë të vështirë duhet të dyja palët të mbahen përgjegjëse. Por, ne jemi të bashkuar në procesin e dialogut. Nuk duam të shohim në tensione e dhunë, por zgjidhje. Zbatimi i marrëveshjeve duhet të bëhet i plotë, përfshirë edhe themelimin e Asociacionit pa vonesa”, shtoi Bilçik.

Kanë kaluar 11 ditë që kur Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka certifikuar rezultatet për katër kryetarët e komunave në veri të Kosovës dhe sipas Ligjit për Vetëqeverisje Lokale, nëse kryetarët e sapozgjedhur nuk japin betimin në afat prej 30 ditësh nga certifikimi, ata automatikisht e humbasin mandatin.

Parlamenti Evropian miraton raportet për Kosovën dhe Serbinë

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore