Shqipëria

Beteja me coronavirusin – 15 të vdekur, qindra të infektuar


Gjatë 24 orëve të fundit 15 persona kanë humbur betejën me coronavirusin dhe janë regjistruar 801 raste të reja të infektimit.

Aktualisht në katër spitalet COVID janë duke u trajtuar 558 pacientë, 38 në terapi intensive nga të cilët 16 pacientë janë të intubuar.

Janë kryer 3 mijë e 842 testime dhe janë shëruar 1 mijë e 58 qytetarë.

Gjatë ditës së martë, shihet një rritje e rasteve të reja dhe rritje e numrit të vdekjeve. Gjithashtu dhe personat e intubuar gjatë kësaj dite shihet se ka pasur rritje.

Në një prononcim për Albanian Post, javën e kaluar, epidemiologu, Dritan Ulqinaku, deklaroi se ka shumë gjasa që variantet e reja të virusit të kenë ardhur në Shqipëri.

“Teorikisht, mund të kemi vdekshmëri më të lartë nga varianti britanik i Covid-19 ose variantet e tjera. Gjithsesi, kjo mbetet për t’u parë”.

Sipas tij disa mostra të dyshuara si variant i ri i COVID, janë dërguar në laborator tashmë. Për përgjigjet ndërkohë, duhet pritur akoma.

Kujtojmë se të mërkurën, më 10 shkurt, ministrja Ogerta Manastirliu, ka deklaruar se janë marrë masa të reja duke u vendosur ora policore 20:00-06:00. Kjo masë u shoqërua edhe me rritjen e gjobave për personat apo subjektet që shkelin ligjin.

Prandaj, Ministria ka bërë sërish apel që të vendoset maska, të shmangen grumbullimet, të ruhet distanca dhe të tregohet kujdes për higjienën vetjake.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore