Sport

Bernard Berisha i fut në sherr rusët


Futbollisti kosovar, Bernard Berisha, i cili luan për skuadrën ruse Akhmat Grozny, ka bërë një gjest që i futi në përleshje futbollistët e dy klubeve, në ndeshjen e xhiros së gjashtë të Superligës së Rusisë, që ekipi i tij u përball me Arsenal Tula-n.

Në minutën e 30-të, një futbollist i Arsenal Tula-s deshi të largonte topin jashtë fushës, ngase një nga bashkëlojtarët e tij ishte i shtrirë në tokë, por Berisha vrapoi për ta zënë topin, e mori atë, pastaj bëri një driblim dhe asistoi te shoku i skuadrës, Mohamed Konate, i cili më pas realizoi golin e epërsisë për 1:0.

Kjo ngjarje i nervozoi shumë futbollistët dhe stafin e ekipit të Tula-s, të cilët u futën të gjithë në përleshje.

Mirëpo, sa i përket kësaj ngjarje, pas ndeshjes Bernardi reagoi duke thënë se ajo që ndodhi ishte shumë normale dhe nuk mund të ketë pretendime ndaj tij.

“I konsideroj të pabaza pretendimet kundër meje për episodin që çoi në golin e parë kundër Arsenalit”.

“Unë isha në skajin e majtë në gjysmën e kundërshtarit dhe absolutisht nuk pashë dhe nuk e dija se në gjysmën tonë diku në distancë ishte një lojtar mysafir. Gjyqtari nuk i ra bilbilit, si të mos e vazhdoja lojën”, tha Bernard Berisha.

Sa i përket ndeshjes, ekipi mysafir reagoi gjatë pjesës së parë, duke barazuar rezultatin në minutën e 45-të, me golin e shënuar nga Danil Stepanov.

Por, Berisha me shokë, nuk u ndalën me aq dhe pak sekonda para se të përfundonte takimi, realizuan golin e fitores me anë të mesfushorit Igor Konovalov.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore