Lajme

Bërnabiç pret hapjen “e së paku një kapitulli të ri” për Serbinë në negociatat me BE-në


Kryeministrja e Serbisë, Ana Bërnabiç

Kryeministrja e Serbisë, Ana Bërnabiç, u shpreh optimiste se “pritet që të bëhet hapja e së paku një kapitulli të ri në negociatat e Serbisë me Bashkimin Evropian”.

Optimizmin e saj, kryeministrja serbe e bazon në “raportin pozitiv të Komisionit Evropian për Serbinë”.

“Të gjitha përpjekjet tona janë mirëpritur, parësisht përmes reformave në sundimin e ligjit. Për të parën herë kemi pasur raport mujor mbi këto reforma, të cilat ua kemi dërguar delegacionit evropian në Serbi”, ka thënë ajo në Tv Pink.

“Të gjitha këto raportime”, sipas saj, “kanë dhënë fryt”.

Ndërkaq hapja e kapitujve të ri të bisedimeve me BE-në, sipas Bërnabiç, “do të bëhet gjatë Presidencës sllovene”.

“Raportin e progresit për Serbinë nga KE-ja”, Raportuesja për Kosovën në Parlamentin Evropian, Viola von Cramon, e ka quajtur “të zbutur”, dhe “dhuratë Vuçiçit për Zgjedhje”.

Komisioneri për Zgjerim në Bashkim Evropian, Oliver Varhelyi dhe Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç

“Raporti është nënshkruar nga komisioneri hungarez (Komisioneri Evropian për Zgjerim Oliver Varheyli), dhe siç kam thënë, ekziston një tendencë për t’i dhënë diçka Presidentit serb para zgjedhjeve, gjë që nuk është normale dhe nuk është në rregull. Kjo nuk është një punë që Komisioni duhet ta bëjë”, kishte deklaruar Cramon pas bërjes publike të raportit.

Ndërkaq, edhe në një shkrim autorial në gazetën “Euractiv”, Cramon gjithashtu ka rikthesuar të njëjtën gjë, në mënyrë edhe më të elaboruar, ku Komisionerin Evropian për Zgjerim, Varheyli-n e ka quajtur “njeri të (Viktor) Orbanit”, i cili “qëllimisht i shkroi raport pozitiv Vuçiçit”.

“Varhelyi është njeri i gabuar dhe në vend të gabuar”, ka shkruar Cramon.

“Raporti i fundit i Komisionit Evropian për Serbinë është një shembull i hapur se si standardet e sundimit të ligjit mund të komprometohen nën një Komisioner që përfaqëson ideologjinë e Viktor Orbanit”, shkruan Viola von Cramon.

“Dikush i emëruar nga një qeveri që shkel sundimin e ligjit dhe shkatërron demokracinë nuk mund të jetë një shembull i mirë për vende si Mali i Zi, Serbia apo Shqipëria, të cilat luftojnë me rrugët e tyre të tranzicionit demokratik”.

Komisioneri për Zgjerim në Bashkim Evropian, Oliver Varhelyi dhe Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç

“Megjithatë, më e keqja ka ardhur me Paketën aktuale të Zgjerimit 2021”, bën të ditur Cramon, veçanërisht në “Vlerësimin vjetor të Komisionit për gatishmërinë dhe arritjet e vendeve të Ballkanit Perëndimor në rrugët e tyre drejt BE-së”.

“Komisioni ka shkuar zyrtarisht nën standardet e veta dhe ato evropiane, duke e zbutur raportin e Progresit të Serbisë 2021 mbi standardet e sundimit të ligjit në veçanti”, potencon Viola con Cramon.

“Ky është shembull flagrant se si Komisioni Evropian u politizua”, shkruan Cramon, “për interesin e boshtit Orbán-Vuçiç dhe se standardet e sundimit të ligjit mund të komprometohen nën mbikëqyrjen e Komisionit”.

“Opozita serbe, OJQ-të dhe mediat e pavarura janë nën presion të madh nga regjimi dhe së fundmi kanë mbajtur demonstrata duke argumentuar se spekulimi politik rreth notave pozitive në raportin e Progresit mund të jetë gozhda e fundit në arkivolin e integrimit të Serbisë në BE”, vazhdon shkrimi.

BE-ja duhet të rivendosë besueshmërinë e saj duke zbatuar kushtëzimin e rreptë dhe vlerësimin e drejtë dhe jo thjesht duke pretenduar se e bën këtë, potencon Cramon.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore