Lajme

Bërnabiç: Njësitë speciale në veri, shkelje e Marrëveshjes së Brukselit


Kryeministrja e Serbisë, Ana Bërnabiç.

Kryeministrja e Serbisë, Ana Bërnabiç, në debatin e përgjithshëm të udhëheqësve botërorë në Organizatën e Kombeve të Bashkuara (OKB), theksoi se nga të gjitha sfidat me të cilat përballet, shqetësimi më i madh është ruajtja e paqes dhe stabilitetit në krahinën jugore të Kosovës.

Ndërsa, zbatimin e rregullave të reja me targa, Bërnabiç po e konsideron si shkelje të Marrëveshjes së Brukselit.

“Me pretekstin e zbatimit të rregullave të reja me targa, Prishtina dërgoi njësi speciale të armatosura rëndë në veri të krahinës. Kjo është një shkelje tjetër brutale e Marrëveshjes së Brukselit, dhe kjo shfaqje irracionale e forcës shkaktoi një krizë të madhe”.

Bërnabiç, deklaroi se Sekretari i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara, Antonio Guterres, i tha asaj në një bisedë në New York se Kosova nuk është shtet për Organizatën Botërore, prandaj ajo këtë bisedë e ka konsideruar si të rëndësishme, veçanërisht për shtetin e Serbisë.

“Është gjithmonë kënaqësi të takohesh me Sekretarin e Përgjithshëm të OKB-së Antonio Guterres. Megjithatë, biseda e sotme ishte veçanërisht e rëndësishme për vendin tonë. Sekretari i Përgjithshëm e filloi takimin duke thënë se Kosova nuk është shtet për Kombet e Bashkuara dhe në emër të Republikës së Serbisë e falënderoj”, shkroi Bërnabiç në Instagram.

Kryeministrja e Serbisë, Ana Bërnabiç në debatin e përgjithshëm të udhëheqësve botërorë në Organizatën e Kombeve të Bashkuara (OKB).

Ndërsa, lidhur me deklaratën e kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama që ju bëri thirrje të gjithëve para Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së që të njohin Kosovën, Bërnabiç tha se disa e përdorin atë podium për pika politike dhe se deklarata të tilla nuk janë të mira për sigurinë rajonale.

“Përgjigja më e mirë u dha nga Sekretari i Përgjithshëm i OKB -së Antonio Guterres, fjalia e parë në takimin me mua ishte, Kosova nuk është shtet për ne. Kjo është përgjigja më e mirë dhe më diplomatike”, tha Bërnabiç për Tanjug, kur u pyet për të komentuar deklaratën e Edi Ramës.

Bërnabiç, deklaroi se disa nga çështjet urgjente dhe jashtëzakonisht emocionale në Ballkan mbeten të pazgjidhura dhe se Serbia po përpiqet ta ndryshojë atë duke krijuar aleanca, të tilla si procesi i Berlinit ose nismat për Ballkanin e Hapur.

Por, gjatë debatit të përgjithshëm të udhëheqësve botërorë brenda sesionit të 76-të të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së, kryeministrja e Serbisë tha se “do të vazhdojmë të përmisojmë bashkëpunimin në të gjithë Ballkanin, përmes dy nismave të përmendura, duke hapur kufijtë dhe duke harmonizuar dallimet dhe integrimin e mëtejshëm të rajonit”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore