Shqipëria

Berisha s’humb kohë, fton qytetarët në protestën e radhës


Ende pa kaluar 24 orë nga protesta e 11 shkurtit, kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka ftuar qytetarët që të mblidhen sërish para Kuvendit.

Një gjë të tillë kryedemokrati e zyrtarizoi në përmbyllje të protestës së djeshme duke caktuar datën 13 shkurt dhe orën 17:00 si “vijimin e revolucionit”.

“Revolucioni na fton!”, thekson ish-kryeministri duke i bashkangjitur një video nga protesta e 11 shkurtit.

Në faqen zyrtare të Kuvendit cilësohet se në punimet e seancës së 13 shkurtit parashikohet miratimi i procesverbalit të seancës së kaluar.

Ndërkaq do të ketë edhe diskutime për çështje të evidentuara nga zgjedhësit.

“Dita e hënë është ditë parlamenti. Revolucioni na fton, të gjithë para parlamentit. Populli i protestës, populli i fitores, të gjithë të bashkohemi të kalojmë nga beteja në betejë deri në fitoren tonë përfundimtare”, do të shprehej ish-kryeministri.

Ai i bëri thirrje kryeministrit Edi Rama, se nuk mund ta përjashtojë “këtë popull nga vota dhe zgjedhjet”.

“Jo Surreli, po as Biza dhe Martaneshi nuk i pengon këta që të të gjejnë deri në vrimën e miut dhe të japin atë që meriton. Së fundmi, edhe njëherë, një mirënjohje të pakufishme për ju në këtë shesh. Ju ftoj të vazhdojmë marshin e lirisë, të vazhdojmë marshin e fitores!”, ravijëzoi në përmbyllje Berisha.

Opozitë e (pa)bashkuar, foltorja mbetet ekskluzivitet i Berishës

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore