Lajme

Berisha, Drejtorit të Policisë: Peja është shndërruar në qytet të fajdeve – po ua marrin shtëpitë njerëzve


Kryetari i Komisionit për Çështje të Sigurisë dhe Mbrojtjes, Bekë Berisha, gjatë raportimit të Drejtorit të Policisë së Kosovës, Gazmend Hoxha në këtë komision, ka pyetur kryepolicin kosovar nëse ka informacion për fajdet apo paratë e huazuara në mënyrë joligjore në Kosovë.

“Peja është shndërruar në qytet të fajdeve, po ua marrin shtëpitë njerëzve me vlerë milionëshe për 80 mijë euro”, tha Berisha.

“Këtu mund të jetë të përzier edhe policët, ka vite që kam folur për këto tema, por nuk është marrë askush. Urgjentisht me u marrë, këtë fenomen duhet ta luftojmë. Njerëzit janë lodhur nga fajdexhitë, ju lutem këtë ta merrni shumë seriozisht”, shtoi ai.

Ndërkaq drejtori i Policisë, Gazmend Hoxha, ka theksuar se fajdja është njëri prej fenomeneve kriminale goxha e shprehur në Kosovë.

“Ne kemi pasur disa operacione, por mbetet të punojmë edhe më shumë në Pejë, por mungon bashkëpunimi nga qytetarët”, potencoi Hoxha.

“Do punojmë shumë që ta luftojmë. Na duhet bashkëpunimi me qytetarë, ne nuk do ta neglizhojmë asnjë informacion”.

Po ashtu, gjatë raportimit, Hoxha ka treguar se 77 zyrtarë policorë janë dorëhequr gjatë vitit të kaluar.

“Gjatë vitit të kaluar 77 zyrtarë policorë dhe staf civil kanë dhënë dorëheqje, është trend në gjithë botën po edhe tek ne po vazhdon”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore