Lajme

Bennett: Izraeli nuk do të aneksojë, as do të krijojë një shtet palestinez


Kryeministi i Izraelit, Naftali Bennett

“Kjo qeveri as nuk do të aneksojë Bregun Perëndimor dhe as nuk do të krijojë një shtet palestinez. Unë jam kryeministër i të gjithë izraelitëve. Ajo që po bëj tani është gjetja e rrugës së mesme – se si mund të përqendrohemi në atë që jemi dakord”.

Kjo ishte përgjigjja e kryeministrit të Izraelit, Naftali Bennett, për “The New York Times” në një intervistë të botuar të martën – dy ditë para mbërritjes së tij në Uashington – se përbërja nga e majta në të djathtë e qeverisë së tij të koalicionit do të thoshte se lëvizjet drastike diplomatike në secilin drejtim ishin jashtë tryezës tani për tani.

Paraardhësi i Bennett, Benjamin Netanyahu, gati pat shkaktuar një krizë në vitin 2020 midis Izraelit dhe Demokratëve të Kongresit kur partia – përfshirë disa nga anëtarët e saj më pro-izraelitë – e paralajmëruan se aneksimi i pjesëve të Bregut Perëndimor do t’i dëmtonte marrëdhëniet SHBA-Izrael.

Netanyahu në atë kohë mendonte për aneksim, sipas kushteve të një marrëveshjeje paqeje të avancuar nga administrata e ish-presidentit amerikan Donald Trump, por e refuzuar nga palestinezët.

Bennett tha se do të vazhdonte zgjerimin e “rritjes natyrore” të vendbanimeve hebraike në Bregun Perëndimor.

Udhëheqësi izraelit nuk tha nëse do të përpiqej t’i bllokonte planet e Biden për të rihapur një konsullatë në Jerusalem kushtuar palestinezëve që ishte mbyllur nga Trump.

Ai tha se Jerusalemi do të ishte vetëm kryeqyteti i Izraelit – nota e tij e ashpërsisë në intervistë. Edhe plani i Trump nuk llogariste një kryeqytet palestinez në periferi të qytetit.

“Jerusalemi është kryeqyteti i Izraelit”, tha Bennett. “Nuk është kryeqyteti i kombeve të tjera”.

Bennet, ashtu si Netanyahu, kundërshton përpjekjet e Biden-it për të hyrë përsëri në marrëveshjen bërthamore të Iranit – Trump u tërhoq nga marrëveshja e vitit 2015 në 2018-ën – por tha se ai do ta paraqiste çështjen e tij te Biden pa rritur tensionet.

“Ajo që ne duhet të bëjmë dhe ajo që po bëjmë, është formimi i një koalicioni rajonal të vendeve arabe – së bashku me ne – që do të shmangin dhe bllokojnë këtë zgjerim dhe këtë dëshirë për dominim”, nga Irani, tha ai për “The Times”.

Netanyahu u përball hapur me administratën e ish-presidentit të SHBA-ve, Barack Obama, kur ajo arriti marrëveshjen. Si dhe zemëroi demokratët, duke pranuar një ftesë nga republikanët për të folur në Kongres kundër politikave të Obama-s për Iranin. Bennett tha se do të shmangte konfrontime të tilla.

“Ka një dimension të ri këtu – të dalësh me mënyra të reja për të adresuar problemet, të jesh shumë realist, shumë pragmatik dhe të jesh i arsyeshëm me miqtë”, theksoi ai.

Konflikti izraelito-palestinez

Konflikti izraelito-palestinez i ka rrënjët dekada më parë dhe luftimet e 14 majit 2021 tregojnë se çdo zgjidhje afatgjatë mund të jetë akoma larg.

Izraeli pushtoi Jerusalemin Lindor në luftën e Lindjes së Mesme të vitit 1967 dhe, në fakt, e aneksoi atë më vonë.

Rrjedhimisht autoritetet nuk e konsiderojnë Lindjen si territor të pushtuar, por të gjithë qytetin si kryeqytetin e tij – një pretendim i panjohur nga shumica e bashkësisë ndërkombëtare.

Izraeli më 14 maj filloi bombardimin intensiv të Rripit të Gazës me sulme ajrore dhe predha artilerie, ndërsa rriti vendosjen e trupave dhe tankeve.

Kjo përplasje ka rezultuar në bombardimet më të rënda të Gazës që nga lufta 50-ditore midis Izraelit dhe Hamass-it në vitin 2014.

Të paktën 219 njerëz, përfshirë gati 100 gra dhe fëmijë, u vranë në Gaza. Autoritetet e Hamass-it nuk kanë dhënë shifra të viktimave për luftëtarët. Ndërsa në Izrael, 12 persona, përfshirë dy fëmijë, mbeten të vdekur.

Tensionet më të shumta midis Izraelit dhe palestinezëve janë në Jerusalemin Lindor, Gaza dhe Bregun Perëndimor.

Përplasjet e fundit pasuan një muaj të tensioneve në rritje në Jerusalem, megjithëse konflikti ka qenë i pranishëm për dekada.

Cilat janë problemet kryesore?

Ka një numër çështjesh, për të cilat Izraeli dhe palestinezët, nuk mund të bien dakord.

Këto përfshijnë atë që duhet të ndodhë me refugjatët palestinezë, nëse vendbanimet hebraike në Bregun Perëndimor të okupuar duhet të qëndrojnë ose të hiqen.

Gjithashtu, nëse të dyja palët duhet të ndajnë Jerusalemin dhe ndoshta më e ndërlikuara nga të gjitha, nëse një shtet palestinez duhet të krijohet së bashku me Izraelin.

Bisedimet e paqes po zhvillohen brenda dhe jashtë për më shumë se 25 vjet, por deri më tani nuk e kanë zgjidhur konfliktin.

Çfarë pret e ardhmja?

Me pak fjalë, situata nuk do të zgjidhet së shpejti.

Plani më i fundit i paqes, i përgatitur nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, kur Donald Trump ishte president, i quajtur “marrëveshja e shekullit” nga ish-kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu, është hedhur poshtë nga palestinezët si i njëanshëm.

Çdo marrëveshje e ardhshme e paqes do të ketë nevojë që të dy palët të bien dakord për zgjidhjen e çështjeve komplekse.

Derisa të ndodhë kjo, konflikti do të vazhdojë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore