Lajme

Beçiç mocionin ndaj Qeverisë e cilëson si tentim për puç kushtetues


Kryetari i Kuvendit të Malit të Zi, njëherësh lideri i Demokratëve, Aleksa Beçiç

Kryetari i Kuvendit të Malit të Zi, njëherësh lideri i Demokratëve, Aleksa Beçiç, iniciativën për ngritjen e mocionit të mosbesimit ndaj Qeverisë së kryeministrit, Zdravko Krivokapiç, e ka cilësuar si “tentim klasik për puç kushtetues”.

Ai ka thënë se kjo është kundër Kushtetutës dhe vullnetit të qytetarëve dhe vet demokracisë.

Beçiç ka thënë se pjesëtarët e shumicës aktuale kishin deklaruar më herët se nuk do të bashkëpunonin më me partinë e presidentit malazes, Milo Gjukanoviç, dhe tani kësaj partie po i ofrojnë mundësinë që të formojë shumicën parlamentare.

“Ky quhet mashtrim politik”, ka thënë Beçiç, duke shtuar se është duke u bërë “tradhti me përmasa epike”.

Të mërkurën e 19 janarit, Lëvizja Qytetare Ura, e udhëhequr nga zëvendëskryeministri, Dritan Abazoviq, dorëzoi në procedurë parlamentare mocionin për mosbesimin e Qeverisë.

31 deputetë kanë qenë nënshkrues të mocionit të votë mosbesimi ndaj qeverisë së Malit të Zi.

Nisma për rrëzimin e qeverisë së Malit të Zi

Kjo nismë është nënshkruar nga anëtarët e koalicionit “E zeza mbi të bardhë”, Lëvizja Ura dhe Lidhja e Qytetarëve CIVIS, që janë pjesë e koalicionit aktual qeverisës si dhe partitë opozitare Partia Socialdemokrate, Socialdemokratët, Partia Boshnjake, Lista Shqiptare, Koalicioni Shqiptar dhe një pjesë e Partisë Demokratike të Socialistëve të presidentit të Malit të Zi, Millo Gjukanoviç.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore