Lajme

“BE ta ndihmojë financiarisht Bjellorusinë, për të frenuar emigrantët drejt Polonisë”


Situata aktuale në kufirin Bjellorusi - Poloni

Ministri i Jashtëm i Rusisë, Sergei Lavrov, i ka sugjeruar Bashkimit Evropian t’i ofrojë ndihmë financiare Bjellorusisë.

Sipas tij, në këtë mënyrë emigrantët nuk do të kalojnë në bllok.

Mijëra emigrantë janë mbledhur në Bjellorusi pranë kufirit polak, disa prej të cilëve duke përdorur lopata në përpjekje për të prishur një gardh kufitar, duke përshkallëzuar një krizë disamujore që ka nxitur thirrje për sanksione më të forta perëndimore ndaj Minskut.

Situata aktuale në kufirin Bjellorusi-Poloni

Polonia dhe BE-ja kanë akuzuar Bjellorusinë për orkestrimin e fluksit të emigrantëve për të destabilizuar shtetin fqinj.

Por, Lavrov tha se “BE-ja duhet të jetë e qëndrueshme në mënyrën sesi i trajton vendet e treta të përdorura nga emigrantët për të kaluar në bllok”.

Ai iu referua një marrëveshjeje të vitit 2016, sipas së cilës BE-ja i dha fonde Turqisë, e cila premtoi të merrte emigrantët dhe refugjatët që kaluan Egjeun për të hyrë ilegalisht në Greqi.

Ministri i Jashtëm rus tha se BE mund të bëjë të njëjtën gjë me Bjellorusinë.

Sergei Lavrov – Ministër i Jashtëm i Rusisë.

“Dje, gjatë disa diskutimeve të ekspertëve politikë, u tha: pse kur vinin refugjatët nga Turqia financoi BE-ja që ata të qëndronin në republikën turke? Pse nuk është e mundur të ndihmohen bjellorusët në të njëjtën mënyrë?” tha Lavrov.

Lavrov i bëri këto komente në një konferencë shtypi në Moskë me kryepeshkopin Paul Gallagher.

Ndërkaq, mediat ruse cituan Gallagher, i cili u bëri thirrje autoriteteve evropiane të veprojnë për të zbutur krizën humanitare që rezulton nga bllokimi i emigrantëve.

Në anën tjetër, Kremlini ka shprehur shqetësim nga ngjarjet në kufirin Bjellorusi-Poloni, ndërsa ka vlerësuar specialistët nga aleati i tij i ngushtë, Bjellorusia për atë që tha se “ishte puna e tyre e përgjegjshme atje”.

Dmitry Peskov – Zëdhënës i Kremlinit.

Në një konferencë me gazetarët, zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, ka thënë se “Moska ishte në kontakt të ngushtë me Minskun për këtë temë dhe u bëri thirrje të gjitha palëve të veprojnë me përgjegjësi”.

Po ashtu, u tha se edhe Presidenti Vladimir Putin ka zhvilluar një bisedë telefonike me homologun e tij bjellorus Alexander Lukashenko, për krizën e emigrantëve, njoftoi agjencia e lajmeve Belta, duke thënë se të dy udhëheqësit shprehën shqetësimin për trupat polake që mblidhen atje.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore