Aplikacione

BE merr masa kundër platformës X për dezinformimin


Bashkimi Evropian ka njoftuar zyrtarisht se dyshon që platforma X ka shkelur rregullat duke përfshirë luftën kundër përmbajtjes së paligjshme dhe dezinformimit.

Komisioneri digjital Thierry Breton ka treguar shkeljet e supozuara në një postim në platformën e mediave sociale.

Ai ka bërë me dije se X, e cila është në pronësi të Elon Musk, dyshohet gjithashtu për shkelje të detyrimeve për transparencën.

Në një deklaratë firma ka thënë se ishte “e rëndësishme që ky proces të mbetet pa ndikim politik dhe të ndjekë ligjin”.

“X është fokusuar në krijimin e një mjedisi të sigurt dhe gjithëpërfshirës për të gjithë përdoruesit në platformë, duke mbrojtur lirinë e shprehjes dhe ne do të vazhdojmë të punojmë pa u lodhur drejt këtij qëllimi”, ka shtuar ai.

Sakaq, këto janë procedurat e para formale të nisura sipas Aktit të Shërbimeve Digjitale (DSA), rregullat e reja të ashpra për firmat e mëdha të teknologjisë që BE ka prezantuar.

DSA vendos detyrime shtesë për kompanitë kryesore për të mbrojtur përdoruesit nga përmbajtjet ekstreme. Nëse nuk e bëjnë këtë, mund të përballen me gjoba të mëdha ose të pezullohen.

“Sot, ne hapëm procedurat zyrtare kundër X bazuar në disa shkelje të dyshuara të Aktit të Shërbimeve Digjitale”, ka njoftuar zëdhënësi i Komisionit të BE-së Johannes Bahrke.

“Hapja e procedurave do të thotë që Komisioni tani do të hetojë sistemet dhe politikat e X në lidhje me disa shkelje të dyshuara. Kjo nuk paragjykon rezultatin e hetimit”, ka sqaruar ai.

Në tetor, BE ka njoftuar se po hetonte X mbi përhapjen e mundshme të përmbajtjes terroriste dhe të dhunshme, dhe gjuhës së urrejtjes, pas sulmit të Hamasit ndaj Izraelit.

X ka deklaruar më pas se kishte hequr qindra llogari të lidhura me Hamasin nga platforma.

Sakaq, BE ka njoftuar se hetimi do të konsideronte gjithashtu efektivitetin e të ashtuquajturit sistemi i Shënimeve të Komunitetit të X.

Ai i lejon kontribuesit të komentojnë saktësinë e postimeve, me kompaninë që e konsideron atë një mburojë kundër dezinformimit.

Sidoqoftë, shqetësimet për natyrën e përmbajtjes që shfaqet në X janë intensifikuar që kur ajo u ble nga Elon Musk – pjesërisht për shkak se ai pushoi nga puna shumë nga moderatorët e saj – me Komisionin Evropian që më parë paralajmëroi se kishte problemin më të madh të dezinformimit nga çdo platformë kryesore.

Në SHBA, polemika mbi materialin ekstremist që shfaqet në faqe ka çuar në një bojkot reklamash, një grindje të ashpër midis Musk dhe një grupi mbrojtës, madje edhe në dilema nëse X mund të falimentojë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore