Lajme

BE-ja, gati çështjen ligjore kundër AstraZeneca-s mbi mungesat e vaksinave


Komisioni Evropian po punon mbi procedurat ligjore kundër AstraZeneca-s, pasi prodhuesi i barnave ndërpreu dërgesat e vaksinave Covid-19 në Bashkimin Evropian.

Sipas burimeve të njohura me këtë çështje, për Reuters bëhet me dije se kjo masë do të shënonte një hap të mëtejshëm në një plan të BE-së, për ndërprerjen e lidhjeve me prodhuesin e barnave anglo-suedeze.

Ndërmarrja ndërpreu vazhdimisht furnizimet në bllok, duke patur vonesa të mëdha për përhapjen e vaksinave në Evropë.

Fillimisht lajmi në lidhje me çështjen ligjore, u raportua nga Politico. Një zyrtar i BE-së, i përfshirë në bisedime me prodhuesit e barnave, konfirmoi se BE-ja po përgatitej për të paditur kompaninë.

“Shtetet e BE-së duhet të vendosin nëse ata do të marrin pjesë. Ka të bëjë me përmbushjen e dërgesave deri në fund të tremujorit të dytë”, tha zyrtari.

Çështja u diskutua të mërkurën e 21 prillit, në një takim me diplomatët e BE-së, thanë zyrtari dhe një diplomat. Politico, duke cituar pesë diplomatë anonimë evropianë, raportoi se një shumicë e vendeve të BE-së në takim thanë se do të mbështesnin padinë e kompanisë.

“Me rëndësi është që të sigurojmë shpërndarjen e një numri të mjaftueshëm dozash në përputhje me angazhimet e mëparshme të kompanisë”, tha një zëdhënës i Komisionit të BE-së.

“Së bashku me shtetet anëtare, ne po shikojmë të gjitha mundësitë për ta arritur këtë”.

Nuk ka pasur asnjë përgjigje të menjëhershme nga AstraZeneca të enjten ndaj një kërkese për koment.

Brukseli, në mars, i dërgoi një letër kompanisë në hapin e parë të një procedure të mundshme ligjore.

Kur skadoi afati i fundit për një përgjigje këtë muaj, një zëdhënës i Komisionit tha se çështja u diskutua në një takim me AstraZeneca, por BE-ja po kërkonte ende sqarime të mëtejshme nga kompania në “një numër pikash të papaguara”.

Zëdhënësi nuk dha detaje. Por në letrën e botuar nga gazeta italiane “Corriere della Sera” tregohet se BE-ja po kërkonte sqarime mbi atë që e konsideroi një aplikim të vonuar në rregullatorin e BE-së për miratimin e vaksinës.

Brukseli, gjithashtu, vuri në dyshim mënyrën se si AstraZeneca shpenzoi mbi 224 milionë euro (270 milionë dollarë) të dhëna nga BE-ja, në shtator, për të blerë përbërës të vaksinës dhe për të cilat kompania nuk kishte siguruar dokumente të mjaftueshme që konfirmonin blerjet.

Sipas kontratës, kompania ishte zotuar të bënte “përpjekjet e saj më të mira”, për të shpërndarë në BE 180 milionë doza vaksine në tremujorin e dytë, për një total prej 300 milionë në periudhën nga dhjetori në qershor.

Kompania, në një deklaratë më 12 mars, tha se do të synonte të jepte vetëm një të tretën e kësaj. Letra e BE-së u dërgua një javë pas asaj deklarate.

Sipas kontratës, palët ranë dakord që gjykatat belge do të ishin përgjegjëse për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve të pazgjidhura.

BE-ja tashmë ka vendosur të mos marrë një mundësi për të blerë 100 milionë doza shtesë të AstraZeneca-s, sipas kontratës, tha një zyrtar i BE-së. Kjo, pas vonesave të furnizimit dhe shqetësimeve të sigurisë në lidhje me raste shumë të rralla të mpiksjes së gjakut të lidhur me vaksinën.

Përshtatur nga Reuters për Albanian Post

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore