Lajme

BE-ja e vetëdijshme për përkeqësimin e situatës, por s’ka datë për rinisjen e dialogut


Ilustrim

Zëdhënësi i Bashkimit Evropian (BE) për Politikë të Jashtme dhe Sigurisë, Peter Stano, në një konferencë për shtyp të hënën, shprehu sërish shqetësimin për lëvizjet e fundit të autoriteteve të Kosovës, duke thënë se të njëjtat nuk kontribuojnë në zbutjen e tensioneve në pjesën veriore të Kosovës të banuar me shumicë serbe, por vetëm ndikojnë në përkeqësimin e situatës.

Duke iu referuar rregullores së Bankës Qendrore të Kosovës (BQK), nëpërmjet së cilës synohet të ndalohet përdorimi i dinarit serb në territorin kosovar, përfshirë aksionin e Policisë së Kosovës për mbylljen e disa institucioneve paralele të Serbisë në vend, konsideroi se veprimet në fjalë “janë të njëanshme dhe jashtë konsultimeve” me parterët ndërkombëtarë.

“Natyrisht se është shqetësuese kur shohim se një varg i hapave të njëanshëm mund të çojë deri te diçka që ne nuk do të donim të shihnim – përkeqësimi i situatës në terren. Një gjë është e qartë, ato veprime nuk japin kontribut për të qetësuar situatën dhe për të ndihmuar që njerëzit të ndihen se jeta e tyre po bëhet më e mirë, por krejt e kundërta”, theksoi Stano.

Duke iu përgjigjur pyetjeve se mbi organizimin e një takimi të nivelit të lartë në kuadër të dialogut për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë-Serbi nën kujdesin e BE-së, zëdhënësi i bllokut theksoi se Emisari Special i BE-së për dialogun, Mirosllav Lajçak, punon çdo ditë në këtë drejtim, porse akoma nuk ka ndonjë agjendë të paraparë për takim në Bruksel.

“Nuk jam në gjendje të shpall ndonjë datë të ndonjë takimi të radhës. Përfaqësuesi i Posaçëm punon me një ritëm të përditshëm dhe shpresojmë se në një moment do të do të jemi në gjendje të caktojmë një takim të nivelit të lartë midis presidentit të Serbisë dhe kryeministrit të Kosova, ku do të bënim përpjekje për t’u ndihmuar t’i zgjidhin çështjet”, shtoi Stano.

BE-ja akuzoi dhe qortoi Qeverinë e Kosovës se nëpërmjet “lëvizjeve të njëanshme” është duke nxitur “tensione të panevojshme” në pjesën veriore të vendit të banuar me serbë etnikë, ndërsa  kërkoi shtyrjen e zbatimit të rregullores së BQK-së për operacionet me para të gatshme nën arsyetimin se mund të ketë ndikim negativ te komuniteti serb në Kosovë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore