Shqipëria

Baza e NATO-s në Kuçovë ka rol të rëndësishëm në mbrojtjen e kërcënimeve nga Lindja, thotë Kingji


Gjeneral Major Arben Kingji, shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura të Shqipërisë, është shprehur se baza ajrore e NATO-s në Kuçovë është e domosdoshme më shumë se kurrë për t’iu përgjigjur kërcënimeve nga lindja.

“Inaugurimi i bazës së Kuçovës është ngjarje e shënuar për FA dhe për vetë anëtarët e Aleancës”, ka theksuar ai.

Sipas tij, sot ofrohet një vlerë e shtuar në infrastrukturën e mbrojtjes së vendit.

“Në një epokë me sfida komplekse, nevoja për një infrastrukturë të mbrojtjes është bërë më e domosdoshme së kurrë, dhe kjo bazë do t’i përgjigjet kërcënimeve që vijnë nga kufijtë lindorë të aleancës”, ka shtuar Kingji.

Po ashtu, sipas tij, baza ajrore Kuçovë e vetmja e këtij lloji, do të mbështesë në operacioneve në vendet e aleancës, patrullimin e hapësirës ajrore.

“Porti Ri i Porto Romanes do të rrisë ndjeshëm kapacitete tona detare. Do të sigurojë hapësira të nevojshme për pritjen e vendeve të aleancës. Paralelisht FA janë futur në një proces modernizimi.  Do të rrisim prezencën në Rumani, Kosovë dhe Bosnje Hercegovinë”, ka vijuar ai.

Më herët – gjatë përurimit të bazës ajrore –  ka mbajtur fjalën e tij edhe ministri i Mbrojtjes, Niko Peleshi.

Baza, sipas tij, do t’i shërbejë aleancës së NATO-s për qëllime operacionale dhe taktike.

Sipas Peleshit, ky është një privilegj i madh për Shqipërinë dhe një ndër investimet më të mëdha të NATO-s në vend.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore